Kina lëshon pjesën kryesore të stacionit të saj të përhershëm hapësinor

  • G.G /
  • 30 prill 2021 - 12:22
Kina lëshon pjesën kryesore të stacionit të saj të përhershëm hapësinor

Kina lëshoi të enjten modulin kryesor të stacionit të saj të parë e të përhershëm hapësinor që do të strehojë astronautë për një kohë të gjatë, duke shënuar një tjetër sukses në ambiciet e saj në rritje gjatë viteve të fundit. Moduli i quajtur Tianhe (Tjen Hë), ose "Harmonia Qiellore", është një tjetër përparim për eksplorimin e hapësirës nga ana e këtij vendi. Nisja shënon të parën mes 11 misionet e nevojshme për të përfunduar furnizimin dhe pajisjen me ekuipazh të stacionit deri në fund të vitit të ardhshëm.

Falë programit hapësinor, Kina ka sjellë në Tokë mostrat e saj të para hënore dhe po përgatitet të zbresë një sondë dhe makinë robotike në sipërfaqen e Marsit në fund të muajit tjetër.

Programi hapësinor është një burim krenarie të madhe kombëtare ndaj lëshimi nga qendra e kontrollit në Pekin u ndoq nga Kryeministri Li Keqiang dhe udhëheqës të tjerë të lartë civilë e ushtarakë.

Para stafit u lexua edhe një mesazh urimi nga udhëheqësi i shtetit dhe kreu i Partisë Komuniste në pushtet Xi Jinping.

Kina filloi të punojë për projektin e një stacioni hapësinor në vitin 1992, kur ambiciet e saj hapësinore sapo kishin nisur të merrnin formë. Nevoja u bë edhe më urgjente kur Kina u përjashtua nga Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar kryesisht për shkak të kundërshtive të Shteteve të Bashkura mbi natyrën e fshehtë të programit kinez dhe lidhjeve të ngushta të tij me ushtrinë.

(Kosova Sot Online)