Dy e treta e amerikanëve besojnë se alienët ekzistojnë: Qeveria nuk po tregon të vërtetën

  • E.K /
  • 17 maj 2021 - 10:14
 Dy e treta e amerikanëve besojnë se alienët ekzistojnë: Qeveria nuk po tregon të vërtetën

Thuajse dy e treta e amerikanëve mendojnë se jeta jashtëtokësore ekziston dhe që qeveria nuk po i tregon të vërtetën publikut, sipas një sondazhi të publikuar nga “CBS News”.

E njëjta pyetje u bë në vitin 2017, por këtë vit përgjigjet e qytetarëve kanë një rritje të konsiderueshme. Në atë kohë, 56% e të anketuarve besonin në jetën inteligjente përtej planetit tonë, krahasuar me 66% sot.

Në 2010, më pak se gjysma e të anketuarve besonte në ekzistencën e jetës jashtëtokësore dhe ky është një tregues i fuqishëm i ndryshimit të perceptimit masiv për temën që dikur ishte tabu. 73% e pjesëmarrësve të sondazhit mendojnë se qeveria amerikane di më shumë nga sa tregon lidhur me temën.

Për shumë vite, qeveria amerikane mohoi çdo interes zyrtar ose përfshirje në çështje dhe tha se hetimet u mbyllën në vitin 1969 bashkë me projektin “Libri Blu”. Më pas, u zbulua Programi i Avancuar i Identifikimit të Kërcënimeve Aerohapësinore, bashkë me video të Marinës Amerikane dhe njerëzit kuptuan se ishin gënjyer, ndryshe nga konspiracionistët që besonin në ekzistencën e një programi të tillë.

Për më tepër, një e treta mendon se kontakti me botën jashtëtokësore do t’ju ndodhë të paktën një herë në jetë, ndërsa 10% mendojnë se iu ka ndodhur. 24% e të anketuarve besojnë se kontakti do të ndodhë në 100 vitet e ardhshme dhe 6% mendojnë se alienët ekzistojnë, por njerëzimi nuk do të takohet kurrë me ta.

Termi UFO (Unidentified Flying Objects – Objekte Fluturuese të Paidentifikuara), është zëvendësuar së fundmi me UAP (Unidentified Aerial Phenomenon – Fenomen Ajror i Paidentifikuar), pasi Pentagoni deklasifikoi tre video në vitin 2020.

(Kosova Sot Online)