NASA njofton për dy misione të reja në Venerë

  • E.K /
  • 03 June 2021 - 09:47
 NASA njofton për dy misione të reja në Venerë

NASA ka njoftuar se do të dërgojë dy misione të reja në Venerë me qëllim të hulumtimit të atmosferës dhe veçorive gjeologjike të këtij planeti.

Për këto dy misione janë ndarë 500 milionë dollarë dhe pritet të realizohen mes vitit 2028 dhe 2030, shkruan BBC.

Shefi i NASA-s, Bill Nelson, tha se këto misione do ta ofrojnë mundësinë për të hulumtuar një planet “në të cilin ne nuk kemi qenë për më shumë se 30 vjet”.

Hera e fundit që një sondë ishte dërguar në Venerë ishte viti 1990, me rastin e lëshimit të sondës Magellan. Prej asaj kohe, objekte të tjera kanë realizuar fluturime afër Venerës.

Misionet u vlerësuan nga shkencëtarët dhe u zgjodhën në bazë të vlerës së tyre shkencore dhe fizibilitetit të planeve të tyre zhvillimore.

“Këto dy misione simotra kanë për qëllim që të kuptojnë se si Venera u bë si një botë e ngjashme me ferrin, e aftë për ta shkrirë plumbin në sipërfaqe”, tha Nelson.

Venera është planeti i dytë nga Dielli dhe planeti më i nxehtë në Sistemin Diellor. Temperatura në sipërfaqen e saj është 500 gradë, që mjafton për ta shkrirë plumbin.

(Kosova Sot Online)