Vrimat e zeza përplasen me yjet neutrone dy herë brenda 10 ditëve

  • E.K /
  • 29 June 2021 - 15:37
 Vrimat e zeza përplasen me yjet neutrone dy herë brenda 10 ditëve

Shkencëtarët kanë vërejtur dy përplasje mes një ylli neutron dhe një vrime të zezë në hapësirën kohore prej vetëm dhjetë ditësh.

Hulumtuesit kishin parashikuar që përplasje të tilla do të ndodhnin, por nuk e dinin se sa shpesh. Ky zbulim do të mund të nënkuptojë se disa ide se si formohen yjet dhe galaktikat mund të kenë nevojë për rishikim.

Profesori Vivien Raymond nga Universiteti i Cardiff-it i tha televizionit BBC se rezultatet befasuese ishin fantastike. “Ne duhet t’i kthehemi tabelës së shënimeve dhe t’i rishkruajmë teoritë tona. Kemi marrë një lloj mësimi përsëri”, tha ai.

Vrimat e zeza janë objekte astronomike që kanë gravitet aq të fuqishëm, saqë as drita s’mund të largohet prej tyre. Një lug material nga një yll neutron vlerësohet se peshon rreth katër miliardë tonë, shkruan BBC.

Në përplasjen e parë, e cila ishte vërejtur më 5 janar 2020, një vrinë e zezë me masë gjashtë herë e gjysmë sa Dielli u përplas me një yll neutron. Në përplasjen e dytë, që u shënua vetëm dhjetë ditë më vonë, një vrimë e zezë me masë dhjetë herë më të madhe se Dielli u përplas me një yll neutron dy herë më i madh se Dielli.

Shkencëtarët më parë kanë vërejtur përplasje mes dy vrimave të zeza dhe përplasje mes dy yjeve neutrone, por kjo është hera e parë që vërehet përplasje mes një vrime të zezë dhe një ylli neutron.

(Kosova Sot Online)