Sa satelitë rrotullohen aktualisht rreth Tokës?

  • G.G /
  • 21 shtator 2021 - 08:16
Sa satelitë rrotullohen aktualisht rreth Tokës?

Duket se çdo javë, një tjetër raketë lëshohet në hapësirë, ​​duke transportuar sonda për në planetin Mars, turistë dhe më së shumti satelitë. Ideja se “hapësira po mbushet me njerëz” vazhdon të ekzistojë prej disa vjetësh, por në fakt sa e populluar është ajo në të vërtetë? Dhe sa e populluar do të jetë në të ardhmen?

Shumë nga satelitët që janë lëshuar në orbitë,kanë dalë jashtë funksionit dhe janë djegur në atmosferë, por mijëra të tjerë ende vazhdojnë të jenë atje duke funksionuar. Organizatat që gjurmojnë lëshimet satelitore, nuk raportojnë gjithmonë të njëjtat shifra, por tendenca e përgjithshme është e qartë dhe befasuese.

Që kur Bashkimi Sovjetik lëshoi ​​Sputnik-satelitin e parë të prodhuar nga njeriu -në vitin 1957, njerëzimi ka dërguar gjithnjë e më shumë objekte në orbitën e Tokës. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, pati një rritje të ngadaltë por të qëndrueshme, me afro 60-100satelitë të lëshuar çdo vit, deri në fillim të vitit 2010.

Por që atëherë, ritmi i lëshimeve është rritur në mënyrë dramatike. Deri në vitin 2020, 114 lëshime dërguan rreth 1.300 satelitë në hapësirë, duke tejkaluar për herë të parë shifrën e 1.000 satelitëve të rinj në vit. Por asnjë nga vitet e shkuara nuk mund të krahasohet me vitin 2021. Që prej 16 shtatorit të vitit 2021, afro 1.400 satelitë të rinj vazhdojnë të rrotullohen rreth tokës, dhe kjo shifër do të vazhdojë të rritet përgjatë gjithë vitit. Vetëm këtë javë, SpaceX dërgoi 51 satelitë të tjerë Starlink në orbitë.

Ka dy arsye kryesore për këtë rritje eksponenciale. Së pari, kurrë më parë nuk ka qenë kaq i lehtë dërgimi i satelitëve në hapësirë. Për shembull, më 29 gusht 2021, një raketë SpaceX transportoi disa satelitë – përfshirë një të ndërtuar nga studentët e mi – në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Më 11 tetor 2021, këta satelitë do të dërgohen në orbitë, dhe numri i satelitëve do të rritet sërish.

Arsyeja e dytë është se raketat mund të mbajnë lehtësisht më shumë satelitë – dhe me një kosto shumë të lirë – si asnjëherë më parë. Kjo rritje nuk vjen për shkak të faktit se raketat po bëhen më të fuqishme. Përkundrazi, satelitët janë bërë më të vegjël falë revolucionit elektronik. Pjesa dërrmuese – 94 për qind – e të gjitha anijeve kozmike të lëshuara në vitin 2020 ishin satelitë të vegjël – satelitë që peshojnë më pak se rreth 600 kilogramë. Shumica e këtyre satelitëve përdoren për vëzhgimin e Tokës ose për komunikimet dhe internetin.

Me synimin për të dërguar internetin në zonat më të prapambetura të globit, dy kompani private, Starlink nga SpaceX dhe OneWeb vetëm në vitin 2020lançuan gati 1.000 satelitë të vegjël. Secila prej këtyre kompanive po planifikon të lëshojnë më shumë se 40.000 satelitë në vitet e ardhshme për të krijuar atë që quhet “mega-plejada” në orbitën e ulët të Tokës.

Disa kompani të tjera po deportojnë në këtë treg prej 1 trilionë dollarësh, sidomos Amazon me projektin e saj “Kuiper”.

Ekspertët janë të shqetësuar mbi problemet e mundshme të paraqitura nga ky numër i madh satelitësh. Ndërsa orbita e ulët e Tokës popullohet nga këto objekte, njëkohësisht rritet edhe shqetësimi për mbeturinat në hapësirë, si edhe për mundësinë reale të përplasjes mes tyre.

Para 10 vjetësh, pushtimi i hapësirës ende ishte një synim për t’u realizuar. Tani, me projektet e studentëve në Stacionin Hapësinor dhe me më shumë se 105 vende që kanë të paktën një satelit në hapësirë, mund të thuhet se deri diku ky qëllim është arritur.

Çdo përparim teknologjik që sjell problematika kërkon përditësim të rregullave – ose krijimin e atyre të reja. SpaceX ka testuar mënyra për të ulur ndikimin e satelitëve Starlink, ndërsa Amazon ka bërë publike planet e saj për t’i tërhequr satelitët e saj nga orbita brenda 355 ditëve pas përfundimit të misionit. Këto dhe veprime të tjera nga aktorë të ndryshëm, më nxitin të shpresoj se tregtia, shkenca dhe përpjekjet njerëzore do të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme për këtë krizë të mundshme. 

(Kosova Sot Online)