Koreja Veriore thotë se ka testuar raketë të re anti-aeroplan

  • G.G /
  • 01 October 2021 - 08:28
Koreja Veriore thotë se ka testuar raketë të re anti-aeroplan

Koreja Veriore ka thënë se ka testuar një raketë të re anti-aeroplan të enjten. Ky është testimi i katërt i armëve nga shteti komunist për më pak se një muaj.

Testimi më i ri u bë vetëm disa ditë pasi Koreja Veriore lëshoi një raketë hipersonike, për të cilën besohet se ka kapacitete bërthamore, shkruan BBC.

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, tha se testimet “krijojnë perspektivë më të madhe për jostabilitet dhe pasiguri.

Pjongiangu  thotë se armët e tij janë të nevojshme për vetëmbrojtje, duke i akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Korenë Jugore për standarde të dyfishta.

Testimet e fundit po shihen si shenjë e qartë që Koreja Veriore nuk ka synime për ta ngadalësuar zhvillimin e armëve, pavarësisht sanksioneve të rrepta.

Ndryshe, Koreja Veriore është në izolim për më shumë se një vit. Ky vend gjatë pandemisë e ka ndërprerë pjesën më të madhe të tregtisë me aleaten më të ngushtë, Kinën, dhe ekonomia mendohet se është në gjendje të tmerrshme.

(Kosova Sot Online)