NASA nis mision për t'i ndryshuar kahjen një asteroidi

  • G.G /
  • 24 nëntor 2021 - 12:12
NASA nis mision për t'i ndryshuar kahjen një asteroidi

Anija kozmike, Falcon 9 duke u nisur në Hapësirë. Fotografi nga arkivi.

Agjencia amerikane e Hapësirës (NASA) ka lansuar një satelit të dizajnuar për t’u përplasur me një asterioid, me qëllim të ndryshimit të kahjes së tij.

Ky testim është duke u kryer për të parë nëse strategjia do të funksionojë në rast nevoje.

Misioni DART i NASA-s, synon të vë në pah se sa e vështirë që është të pengohet përplasja e një guri të madh hapësinor me planetin Tokë.

Në kuadër të misionit, sateliti do të përplaset me asteroidin e quajtur Dimorphos, për të kuptuar sa shpejt mund t’i ndryshohet kahja.

Kjo përplasje pritet të realizohet në tetor të vitit 2022.

“Asteroidi Dimorphos, jemi duke ardhur te ti”, ka thënë NASA përmes një postimi në Twitter pas lansimit.

Ky mision realizohet me anijen kozmike Falcon 9, të prodhuar nga kompania SpaceX e miliarderit, Elon Musk.

Anija kozmike është nisur në Hapësirë në orët e para të mëngjesit nga Kalifornia.

“Ne jemi duke tentuar të mësojmë si të shmangin një kërcënim”, ka thënë shkencëtari i NASA-s, Thomas Zuburchen, duke komentuar projektin në vlerë të 330 milionë dollarëve, njëherësh të parin e këtij lloji.

Dimorphos është asteroid që, sipas NASA-s, nuk përbën kërcënim për Tokën.

Sipas kësaj Agjencie, ky mision nuk rrezikon planetin Tokë.

(Kosova Sot Online)