Çfarë ndodhi në hapësirën e pakufishme gjatë vitit 2021

  • G.G /
  • 20 December 2021 - 12:53
Çfarë ndodhi në hapësirën e pakufishme gjatë vitit 2021

2021 ishte një vit historik për të gjitha gjërat që lidhen me hapësirën. Që nga suksesi i kompanive private të fluturimeve në hapësirë e deri tek robotët që eksplorojnë Marsin, materiali në vazhdim sjell ngjarjet kryesore të vitit mbi zhvillimet në hapësirë.

Këtë vit bota ishte dëshmitare e tre arritjeve historike, ndërsa kompanitë private të fluturimeve hapësinore Virgin Galactic, Blue Origin dhe SpaceX nisën me sukses bizneset e tyre të turizmit hapësinor.

Kompania Virgin Galactic, e zotit Richard Branson, u bë e para që arriti skajin e hapësirës në fillim të korrikut.

Ndërsa kompania e Jeff Bezos, Blue Origin, fluturoi disa ditë më vonë dhe pak më lart, në përvjetorin e uljes së misionit Apollo 11 në hënë.

Në mesin e pasagjerëve ishte piloti Wally Funk, i cili në atë kohë u cilësua si personi më i moshuar në hapësirë në moshën 82-vjeçare.

Por, muaj më pas, aktori 90-vjeçar William Shatner, rrëmbeu titullin me udhëtimin në bordin e anijes Blue Origin. Zoti Shatner fitoi famë në rolin e kapitenit James T. Kirk, në serialin ikonë të viteve 60 “Star Trek”.

Misty Snopkowski ka dhjetëra vite që punon për nismat e NASA-s për misionet njerëzore në hapësirë:

“2021 ka qenë një vit vërtet i mahnitshëm. Mendoj se në këtë pikë, po përjetojmë një lloj rilindjeje të fluturimeve me njerëz në hapësirë.”

Ajo i tha Zërit të Amerikës se fluturimi i SpaceX dhe fushata për mbledhjen e fondeve për Spitalin e Fëmijëve St. Jude – mund të ketë qenë më i rëndësishmi i vitit:

“Për shkak se fluturimi ishte i suksesshëm, mendoj se do të nxisë më shumë aktivitete në orbitën e ulët të Tokës dhe bëjë të mundur që më shumë njerëz të shkojnë në hapësirë.”

I gjithë misioni u financua nga një miliarder në bordin e fluturimit.

Greg Autry, profesor në Shkollën e Menaxhimit Global Thunderbird në Universitetin Shtetëror të Arizonës, foli me Zërin e Amerikës përmes rrjetit Zoom:

“Tani, investimi privat në hapësirë është më i madh se buxheti i NASA-s. Industria private po shpenzon më shumë për hapësirën sesa qeveria, dhe padyshim është arritje kulmore për industrinë.”

Profesori thotë se pajisjet e ripërdorshme kanë ulur koston për udhëtimet në hapësirë dhe janë më miqësore me mjedisin se sa raketat e mëparshme:

“Para se të shohim udhëtimet me njerëz, fillimisht do kemi ngarkesat. Brenda një ore do bëhet transporti i ushqimeve nga Tokio në Londër. Është çmenduri, por ka njerëz që do të paguajnë për këtë.”

Gjatë vitit 2021 NASA zbriti në Mars. Makina-robot “Perseverance” dhe helikopteri-robot “Ingenuity” filluan kërkimet për shenja të jetës gjatë lashtësisë. Fluturimi zgjati rreth shtatë muaj para një ulje dramatike në sipërfaqen marsiane.

Nuk ka gjë të keqe, thotë profesor Autry, por fokusi duhet të jetë aty ku jetojmë.

“Mund të rendim në Mars, të shpenzojmë shumë para publike, mund ta ngremë flamurin atje dhe të sillet një mostër e madje ndoshta të zbulonim jetën. Por në fakt, kjo nuk do të sillte përfitime për njerëzit në Tokë.”

Përfitimi për njerëzit, thotë profesori, do të ishte zhvendosja e industrisë minerare dhe të prodhimit nga toka në hënë.

NASA planifikon të nisë misionin Artemis shkurtin e ardhshëm. Është i pari nga tre misionet, që kanë për objektiv zbritjen në hënë deri në vitin 2025 të njeriut për herë të parë që nga viti 1969.

Misty Snopkowski e NASA-s thotë për Zërin e Amerikës se misionet e ardhshme në hënë do të përfshijnë partneritete publiko-private, që do të ulin koston për agjencinë hapësinore:

“Një nga qëllimet e NASA-s është të jetë vetëm një nga shumë klientë në bazë të strategjisë komerciale që kemi përcaktuar. Kështu që NASA do të blejë vetëm ato që i nevojiten, për sa i përket mallrave dhe shërbimeve.”

Por viti 2021 shënoi edhe gjera të pazakonta në hapësirë. Për herë të parë në hapësirë u gatua krepa e famshme franceze. U testua sistemi imunitar i një kalamari. Dhe u mbajtën lojrat e para të hapësirës.

Viti 2022 do të shoqërohet me më shumë fluturime hapësinore, udhëtime testuese nga NASA për misionet në hënë dhe hulumtime të mëtejshme nga Marsi. Dr. Sally Ridge, gruaja e parë amerikane në hapësirë, po ashtu do të nderohet në një monedhë.

(Kosova Sot Online)