Dhurata më e mirë për Krishtlindje, merr fund shpërthimi i vullkanit në La Palma

  • G.G /
  • 27 December 2021 - 10:45
Dhurata më e mirë për Krishtlindje, merr fund shpërthimi i vullkanit në La Palma

Një shpërthim vullkanik që ka shkaktuar dëme të mëdha në ishujt Kanarie të Spanjës që nga shtatori, më në fund është shpallur i përfunduar. Njoftimi për La Palma vjen pas 10 ditëve pa rrjedhje llave, aktivitet sizmik ose emetime të konsiderueshme të dioksidit të squfurit.

Por urgjenca në ishullin e Oqeanit Atlantik është larg përfundimit, për shkak të shkatërrimit të gjerë që ka shkaktuar tashmë, paralajmëroi drejtori i komitetit të urgjencës vullkanike të Kanareve.

Drejtori i Pevolca, Julio Perez tha: “Nuk është gëzim apo kënaqësi – si mund ta përcaktojmë atë që ndiejmë? Është një lehtësim emocional. Dhe shpresojmë sepse tani, ne mund të ndihmojmë veten dhe të fokusohemi plotësisht në punën e rindërtimit.”

Shkëmbi i shkrirë i zjarrtë që rrjedh drejt detit shkatërroi rreth 3,000 ndërtesa dhe shtëpi, varrosi plantacione bananesh dhe vreshta, rrënoi sistemet e ujitjes dhe ndërpreu rrugët. Por asnjë lëndim apo vdekje nuk ishte e lidhur drejtpërdrejt me shpërthimin.

Perez tha se qeveria e arkipelagut vlerësoi humbjen e ndërtesave dhe infrastrukturës në më shumë se 900 milionë euro. Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez e quajti fundin e shpërthimit si “dhurata më e mirë e Krishtlindjes”.

Që kur shpërthimi filloi më 19 shtator, ka pasur një sërë alarmesh të rreme kur aktiviteti i reduktuar nuk zgjati shumë.

(Kosova Sot Online)