Teleskopi i ri i NASA-s mund të shohë fillimet e universit dhe galaktikat? Të gjitha pyetjet marrin përgjigje

  • E.K /
  • 15 July 2022 - 12:37
Teleskopi i ri i NASA-s mund të shohë fillimet e universit dhe galaktikat? Të gjitha pyetjet marrin përgjigje

Pamjet spektakolare dhe novatore të kozmosit mahnitën botën në fillim të kësaj jave kur NASA publikoi imazhet e para nga teleskopi “Web”. Teleskopi i fuqishëm u fokusua në një pjesë shumë të vogël të qiellit ku ndodhet grumbullimi i galaktikave SMACS 0723, sipas Daily Mail.

Çdo objekt i ndritshëm në foto është një galaktikë shumë e largët. Disa janë ndër më të largëtit që kemi vëzhguar ndonjëherë, kështu që ne po i shohim nga një kohë kur Universi ishte ende “i porsalindur”.

Nga fotot u zbulua se nga ai planet kishte avullim uji duke bërë që NASA të besojë se në atë zonë mund të ketë planete që ka jetë. Megjithatë, ajo që është edhe më emocionuese është se astronomët thonë se kjo është vetëm ‘maja e ajsbergut’.

Shpresohet se teleskopi prej 10 miliardë dollarësh  gjithashtu do të vëzhgojë yjet e parë, do të zbulojë planetë të banueshëm në galaktikat e largëta dhe do të kthehet pas në kohë brenda 100-200 milionë viteve të Big Bengut.

Por përveçse janë imazhe të bukura të galaktikave, dhe madje edhe të spektrit atmosferik të botës së largët WASP-96 b, çfarë rëndësie kanë imazhet për shkencëtarët, dhe njerëzimin në përgjithësi?

MailOnline ka biseduar me një sërë astronomësh për të marrë përgjigjet për të gjitha pikëpyetjet.

Çfarë kërkojnë të zbulojnë shkencëtarët?

James Webb është në thelb teleskopi më i madh në hapësirë dhe ajo çfarë e bën të veçantë atë është fakti se arrin të zbulojë rrezet me infra të kuqe në gjatësi valësh më të mëdha se sa mund të shihen nga sytë tanë.

Në thelb, vetëm teleskopët që mund të zbulojnë rrezet me infra të kuqe mund të shohin dritën nga galaktikat e largëta dhe objekte të tjera, dhe për këtë arsye janë në gjendje të kapin imazhe të tilla. Webb gjithashtu nuk rrotullohet rreth Tokës, si paraardhësi i tij Hubble, por përkundrazi rrotullohet rreth diellit 1 milion milje (1.5 milion km) nga planeti ynë në atë që quhet pika e dytë e Lagranzhit ose L2, raporton abcnews.al.

Pesë imazhet e tij të para ishin të Mjegullnajës së Unazës Jugore, Kuintetit të Stephanit, Mjegullnajës Carina, një spektri të ekzoplanetit WASP-96 b dhe një grumbull galaktikash të njohur si SMACS 0723.

Kjo e fundit ishte e njejtë siç u shfaq 4.6 miliardë vite më parë. Drita ka një shpejtësi të kufizuar kështu që i janë dashur deri në 13 miliardë vite që drita e gjeneruar nga disa prej këtyre galaktikave dhe yjeve të arrijë tek ne tani.

Për krahasim, dritës i duhet rreth 1 sekondë për të udhëtuar nga hëna dhe 8 minuta nga dielli. Prandaj, ne e shohim diellin siç ishte 8 minuta më parë. Nëse do të zhdukej, do ta zbulonim 8 minuta më vonë.

Po toka?

Toka nuk shihet në asnjë nga imazhet. Kjo është për shkak se fundi i teleskopit hapësinor James Webb, i cili është si një mburojë me madhësi të fushës së tenisit, është gjithmonë përballë diellit për ta bllokuar atë.

Do të thotë që Toka është gjithmonë midis James Webb dhe diellit gjithashtu, prandaj nuk kemi asnjë imazh të Tokës. Kur një teleskop arrin më larg, ai po shikon gjithashtu pas në kohë. Duhet kohë që drita që teleskopi po merr të udhëtojë nëpër hapësirë.

Prandaj, ne i shohim objektet jo siç janë tani, por siç ishin në kohën miliarda vite më para përpara se të arrinin tek ne.

Teleskopi James Webb, do të jetë në gjendje të shohë pothuajse të gjithë rrugën e kthimit deri në fillimin e universit, më shumë se 13.5 miliardë vite më parë.

Webb është krijuar për të parë në mënyrë specifike rrezet me infra të kuqe, e cila është e padukshme për sytë tanë, por e lejon atë të identifikojë objektet më të largëta në univers.

Pse janë kaq të rëndësishme këto imazhe?

Siç tha një astronom, ata janë ‘vetëm maja e ajsbergut’. Ekziston një emocion i madh brenda komunitetit shkencor për zbulimet që Webb mund të bëjë, siç shpjegon Dr Wakeford.

“Këto janë imazhet e para nga një teleskop i ri që është parashikuar për më shumë se një dekadë,” tha ajo.

“Ajo që po shohim është vetëm një vështrim i vogël i imazheve, shkencës, njohurive që do të vijnë. Më e rëndësishmja është një vitrinë e bukur e të gjitha llojeve të ndryshme të shkencës që ky teleskop do të bëjë.’

Qëllimi përfundimtar i Webb është të shikojë më thellë në kohë 13.5 miliardë vite deri në një pikë brenda 100-200 milion viteve që nga Big Bengu. Këto pesë imazhet e para janë vetëm fillimi, por ato tregojnë se Ëebb po funksionon mirë dhe ofrojnë një  vështrim i asaj mund të pasojë më pas, raporton abcnews.al.

A do të ketë foto të tjera?

Imazhet e radhës, duke filluar me një që shfaq objekte në sistemin tonë diellor, pritet të dalin deri në fund të javës.  Sipas Wilkins, pesë imazhet e para, janë kapur vetëm për për disa ditë.

Imagjinoni çfarë mund të ndodhë pas javësh, muajsh dhe vitesh vëzhgimesh.

Ndërsa Webb mbledh më shumë të dhëna, a mund të rivlerësojnë edhe njëherë  shkencëtarët që universi është më i vjetër se 13.8 miliardë vite?

Ekziston mundësia që analiza e Webb-it të çojë në rishikimin e të dhënave të shkencëtarëve për vlerësimet e tyre për moshën e universit. Dhe sigurisht kjo varet nga gjetjet e reja.  Për shembull, nëse universi po zgjerohet më me shpejtësi nga sa ne kemi menduar, mund të jetë shumë më i ri se 13.8 miliardë vite.

Çfarë tregon secili nga imazhet?

Imazhi SMACS 0723

Imazhi i parë tregon një grumbull galaktikash siç u shfaq 4.6 miliardë vite më parë. Ka shumë galaktika të tjera përpara dhe pas grumbullimit, duke përfshirë dritën nga një që udhëtoi për 13.1 miliardë vite përpara se pasqyrat e Ueb-it ta kapnin atë.

Grupet e galaktikave janë objektet më të mëdha në univers, ato përmbajnë  qindra ose mijëra galaktika, dhe një sasi të madhe të materies së errët – masë e padukshme që ndërvepron përmes gravitetit dhe nuk lëshon, thith ose reflekton dritë.

Fotografia është imazhi më i thellë dhe më i mprehtë me rreze infra të kuqe i universit deri më sot, dhe kap një pjesë të universit të gjerë që është e barabartë me madhësinë e një kokrre rëre

Imazhi WASP-96b

NASA  publikoi një foto nga një planet gjigant të quajtur “WASP-96b”, i cili është 1 150 vite dritë larg nga toka. Nga fotot u zbulua se nga ai planet kishte avullim uji duke bërë që NASA të besojë se në atë zonë mund të ketë planete që ka jetë.

Planeti në fjalë, tepër i madh, gati sa Jupiteri, është jashtë sistemit tonë diellor dhe teknologjia e avancuar e teleskopit në fjalë ka arritur që të identifikojë me shumë saktësi llojin e molekulave të atmosferën e tij.

Mjegullnaja “8-burst”

Unaza Jugore, ose mjegullnaja “8-Burst”, është një sferë gjigante  gazi dhe pluhuri. Ndërsa yjet plaken, ata ndryshojnë mënyrën se si prodhojnë energji dhe nxjerrin shtresat e tyre të jashtme.

Unaza Jugore është gati gjysmë viti dritë në diametër dhe ndodhet rreth 2000 vite dritë nga Toka. Kjo lloj strukture quhet “mjegullnajë planetare”, por në fakt nuk ka të bëjë fare me planetët.

Kuintet i Stefanit ndodhet në yjësinë Pegasus

Ky kuintet i dukshëm për faktin se është grupi i parë kompakt i galaktikave i zbuluar ndonjëherë.  Ky imazh i teleskopit Webb nuk duket aq i ndryshëm nga versioni i teleskopit Hubble në shikim të parë.

Për NASA-n shpresa e madhe ka qenë që të koordinohej puna e Webb me Hubble. Ata kanë pika të ndryshme të forta dhe aftësia për të krahasuar dhe kontrastuar do t’u japë shkencëtarëve një dimension të ri në studimet e tyre.

Hubble nuk dihet sa do të funksionojë. Ai është 32 vjeç dhe i prirur për defekte teknike. Por zyrtarët e NASA-s që janë në krye projektit sapo kanë dorëzuar një plan buxhetor pesë-vjeçar.

Mjegullnaja e Karinës

Webb zbuloi gjithashtu një imazh të yjeve të vegjël në Mjegullnajën Karina, e cila është një nga mjegullnajat më të shndritshme dhe më të mëdha në hapësirë ​​dhe ndodhet rreth 7600 vite dritë larg në yjësinë jugore të quajtur Karina. 

(Kosova Sot Online)