Shkencëtarët kanë llogaritur mundësinë e ekzistencës së civilizimeve të jashtëtokësorëve

  • A.P /
  • 01 December 2022 - 14:26
Shkencëtarët kanë llogaritur mundësinë e ekzistencës së civilizimeve të jashtëtokësorëve

Shumë planetë të tjerë në univers me gjasë kanë qenë vendbanim të shoqërive inteligjente, shumë kohë para se Toka të bëhej vendbanim i njerëzve. Kështu pretendojnë disa hulumtues, që së fundmi kanë dalë me rezultatet e hulumtimit të tyre, sipas të cilave, probabiliteti që njerëzit të jenë krijesat e para të përparuara, që kanë jetuar në kozmos, sipas këtij studimi, është një në 10 miliardë-trilionë - ose një në 10 në fuqinë e 22-të. "Për mua, kjo do të thotë që në univers kanë jetuar edhe specie të tjera inteligjente, që janë marrë me prodhime teknologjike, shumë kohë para nesh", ka thënë autori kryesor i studimit, Adam Frank, profesor i fizikës dhe astronomisë në Universitetin e Roçesterit në Nju-Jork.

 

"Rezultatet e kërkimeve tona tregojnë që ajo që ka ndodhur me evoluimin e njerëzve në Tokë ka ndodhur edhe rreth 10 miliardë herë të tjera në histori të kozmosit", ka thënë Frank-u. Formula për llogaritjen e planetëve të përshtatshëm për jetesë Në vitin 1961, astronomi Frank Drake kishte krijuar një formulë për llogaritjen e civilizimeve jashtëtokësore, që mund të ekzistojnë sot në Rrugën e Qumështit. Adam Frank dhe autori tjetër i këtij studimi, Woodruff Sullivan, që të dy nga Universiteti i Uashingtonit, kanë qenë të interesuar në llogaritjen e numrit të mundshëm të civilizimeve inteligjente të jashtëtokësorëve, që kanë ekzistuar ndonjëherë në univers. Andaj, ata e kishin marrë për bazë ekuacionin e Drake duke krijuar një 'version arkeologjik' që nuk merr për bazë jetëgjatësinë që mund të kenë pasur këta civilizime jashtëtokësorësh. Frank dhe Sullivan kanë inkorporuar edhe observimet e realizuar nga teleskopi hapësinor i NASA-s, Kepler, si dhe instrumente të tjera, që tregojnë që rreth 20 për qind e të gjithë yjeve kanë planetë në 'zonën e jetueshme', ku uji i lëngët mund të ekzistojë në sipërfaqe. E, pas llogaritjes së kësaj shifre, ata janë munduar ta gjejnë probabilitetin që Toka të ketë qenë planeti i parë i banuar me civilizim inteligjent dhe si rezultat ka dalë numri i lartcekur - një në 10 miliardë-trilionë. "Nga perspektiva fundamentale, çështja është nëse civilizimet e zhvilluara kanë ekzistuar ndonjëherë, bë ndonjë planet jashtë Tokës", ka thënë Frank.

"Rezultatet tona janë në gjendje që t'i japin përgjigje empirike kësaj pyetjeje dhe mund të themi me plot gojë që gjasat janë shumë të vogla që ne të jemi krijesat e para inteligjente, pasi krijesa të tilla kanë ekzistuar edhe në të kaluarën, në planetë tjerë". Kontakti me jashtëtokësorët, i vështirë Mirëpo, kjo nuk do të thotë që ka shumë jashtëtokësorë inteligjentë, të cilët presin për t'u kontaktuar nga ne, thuhet më tutje në hulumtim. "Universi është më shumë se 13 miliardë vjet i vjetër", transmeton gazeta “Kosova Sot Online”, ka thënë Sullivan në deklaratën e përbashkët. "Kjo i bie që edhe nëse ka pasur mbi 1000 civilizime në galaksinë tonë dhe nëse ata kanë ekzistuar afërsisht sa ne - rreth 10,000 vjet - atëherë me gjasë që të gjithë janë zhdukur. Pra, në mënyrë që ne të jemi në gjendje të vëmë kontakt me ndonjë civilizim jashtëtokësorësh, që është i përparuar në aspektin teknologjik, atëherë ata duhet të kenë jetëgjatësi shumë më të madhe se ne".

(Kosova Sot Online)