Zgjidhet pas më shumë se 300 vitesh misteri i zjarrit më të madh në Londër

  • A.P /
  • 05 September 2023 - 14:02
Zgjidhet pas më shumë se 300 vitesh misteri i zjarrit më të madh në Londër

Nga Tim Stokes, BBC

Është identifikuar personi që mendohet se ka dhënë alarmin për nisjen e zjarrit në një furrë buke që më pas u shndërrua në zjarrin më të madh të Londrës. Zjarri, i cili filloi në pronën e Thomas Farriner në Pudding Lane më 2 shtator 1666, zgjati  katër ditë dhe shkatërroi pjesën më të madhe të kryeqytetit.

Hulumtimet e reja kanë zbuluar se ishte “njeriu” i Farriner, Thomas Dagger, i cili besohet se fillimisht kishte vënë re flakët. Profesor Kate Loveman tha se roli i Dagger ende nuk dihet.

Zjarri filloi në orët e para të mëngjesit dhe u përhap shumë shpejt për shkak të erërave të forta, dhe më pas përfshiu shtëpitë të cilat ishin të ndërtuara nga druri dhe kashta.

 

Në kohën kur u shua, një zonë rreth një milje e gjysmë (2.4 km) e gjerë përgjatë lumit Thames u shkatërrua, përfshirë 13,200 shtëpi, 87 kisha dhe katedralja e vjetër e Shën Palit.

Zjarri i madh la rreth 100,000 njerëz të pastrehë, por çoi në ndryshime të mëdha në qytet, shumë prej të cilave kanë ende një ndikim sot. Ndërsa dihej që zjarri filloi në furrën e Thomas Farriner, nuk dihet se çfarë e shkaktoi nisjen e zjarrit, raporton abcnews.al.

Prof Loveman, nga Universiteti i Leicesterit, përdori letra, pamflete dhe të dhëna ligjore dhe reparte për të zbuluar identitetin e Thomas Dagger.

Në një shënim nga deputeti Edward Harley thoshte se Fariner (që mund të ishte shërbëtori ose mjeshtri i tij) ishte zgjuar pas orës 01:00 nga tymi  i madh dhe se Farriner, vajza e tij dhe Dagger kishin shpëtuar duke dalë nga dritarja.

Burime të tjera sugjeruan gjithashtu se djali i Fariner ishte i pranishëm. Emrat e atyre anëtarëve të familjes përfshirë fëmijët e rritur të Fariner-it, Hanna dhe Thomas u gjetën më pas në të dhëna të tjera, ku mes tyre ishte edhe bukëpjekësi Dagger.

Dokumentet raportojnë gjithashtu se ai është personi që ka dhënë alarmin. Prof Loveman tha se ndërsa Farriners ishin të mirënjohur nga historianët, “roli i Thomas Dagger ka mbetur i panjohur” dhe emri i tij nuk u bë kurrë i njohur.

Hulumtimi u krye për Muzeun e Londrës si pjesë e një ekspozite për zjarrin e madh, i cili do të shfaqet kur vendi i ri të hapet në vitin 2026. U deshën gati 50 vjet për të rindërtuar zonën e djegur të Londrës. Katedralja e Shën Palit nuk u përfundua deri në 1711.

Përgjatë 1667 njerëzit pastruan rrënojat dhe vëzhguan zonën e djegur. U harxhua shumë kohë për planifikimin e ri të rrugëve dhe hartimin e rregulloreve të reja të ndërtimit. Deri në fund të vitit ishin ndërtuar vetëm 150 shtëpi të reja.

Ndërtesat publike, si kishat, paguheshin me para nga një taksë e re qymyri.

Rregulloret e reja u krijuan për të parandaluar përsëritjen e një fatkeqësie të tillë. Shtëpitë tani duhej të ndërtoheshin me tulla në vend të drurit. Disa rrugë u zgjeruan dhe u krijuan dy rrugë të reja.

U hodhën trotuare dhe kanalizime të reja dhe u përmirësuan kalatë e Londrës. Rezultatet ishin të dukshme: ‘(Londra) nuk është vetëm qyteti më i bukur tashmë, por edhe më i shëndetshmi në botë’, tha një londinez krenar.


(Kosova Sot Online)