Harrojeni rekordin e shpejtësisë së erës të vendosur në Neptun

  • A.P /
  • 29 January 2025 - 08:24
Harrojeni rekordin e shpejtësisë së erës të vendosur në Neptun

Harrojeni rekordin e shpejtësisë së erës të vendosur në Neptun, pasi Observatori Jugor Evropian (ESO) njoftoi sot se ka vlerësuar 30,000 km/h shpejtësi të erës në ekzoplanetin WASP-127b. I zbuluar në vitin 2016 dhe më shumë se 500 vite dritë nga Toka, ky gjigant gazi është pak më i madh se Jupiteri. Është gjithashtu shumë më pak masiv, gjë që e bën atë të duket “i fryrë”, sipas astronomëve, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Astronomët e vëzhguan atë në detaje me teleskopin VLT në shkretëtirën e Kilit. Duke u fokusuar në atmosferën e tij, ata konfirmuan praninë e avullit të ujit dhe molekulave të monoksidit të karbonit, duke përdorur spektrografin CRIRES.

 

Por ndjesia u shkaktua kryesisht nga shpërthimet e erës të cilat, sipas llogaritjeve të ekspertëve, kalonin 9 kilometra në sekondë, pra arrinin deri në 33,000 km/h, siç thuhet në studimin e publikuar në revistën Astronomy & Astrophysics.

Rekordi i mëparshëm ishte për shpërthimet e erës prej 1,800 km/h në Neptun, planeti i tetë – sipas distancës nga Dielli – në sistemin tonë diellor.

Studiuesit zbuluan gjithashtu se polet e WASP-127b janë më të ftohta në krahasim me pjesën tjetër të planetit dhe kanë vërejtur pak ndryshim të temperaturës midis ditës dhe natës.

Fei Yan, një nga autorët e studimit dhe profesor në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë të Kinës, shpjegon se ekzoplaneti WASP-127b ka “kushte komplekse klimatike, ashtu si Toka dhe planetët e tjerë në sistemin tonë diellor”.

David Cote nga Universiteti i Mynihut, gjithashtu ndër autorët e studimit, thekson se të kuptuarit e dinamikës së ekzoplaneteve të tilla mund të hedhë dritë mbi misteret e sistemit tonë diellor.

(Kosova Sot Online)