Receta e Cekës: Strudel klasik me petë shtëpie

  • A.P /
  • 01 March 2021 - 14:50
Receta e Cekës: Strudel klasik me petë shtëpie

PËRBËRËSIT PËR PETË

225 g miell i ashpër, • një majë luge kripë, • 1 vezë e tundur me piru, • 2 lugë vaj, • disa pikë limoni, • gjalpë për lyerje. Në enë për brumë vendoset mielli dhe kripa. Në mes hidhen veza, vaji dhe lëngu i limonit. Duke e përzier me lugë hidhet nga pak ujë i vakët, sa të gatuhet një brumë i butë, i cili rrahet me lugë gjersa të shkëputet nga ena. Brumi derdhet në tavolinë të përmiellur dhe ngjishet 5 minuta. Rrahet disa herë për tavolinë gjersa të bëhet elastik. Në formë topi vendoset në mbulesë stofi të përmiellur dhe mbulohet që të qëndrojë 30 minuta në temperaturë ambienti. Çarçafi përmiellet, me tëhollës të nxehur hollohet, pastaj me kujdes hapet me duar duke pasur kujdes që mos të ngjitet për stof dhe mos të shkëputet.

Peta hapet duke i futur duart nën petë dhe me kujdes hollohet në trashësi letre. Priten skajet. Mbushja me mollë:1 kg. mollë të qëruara dhe të prera në copa të vogla, nga 3 lugë rrush të bardhë dhe të zi të terur ose 300 g vishnje të pastruara nga bërthamat, 75 g sheqer, 1/2 lugëz kanellë, lëvore portokalli e kaluar në rende, 50 g bajame ose arra të bluara, 50 g galetë e fërguar në gjalpë. Përbërësit përzihen, shpërndahen mbi tërë sipërfaqen e petës së holluar në formë katërkëndëshi dhe me anë të çarçafit mbështillet peta në roladë. Vendoset në formë patkoi ose diagonale, në tepsi të lyer me yndyrë. Lyhet me gjalpë dhe futet në furrë të nxehtë me temp. 190 gradë C për t'u pjekur për 30-40 minuta. Që të mos thahet, mbulohet me folie. Para se të shërbehet, mbi hidhet sheqer pluhur. Peta mund të mbushet me djathë, vezë, spinaq etj.

(Kosova Sot Online)