Refuzimi i dorëheqjes nga Lumir Abdixhiku është një e drejtë legjitime politike

Refuzimi i dorëheqjes nga Lumir Abdixhiku është një e drejtë legjitime politike
Refuzimi i dorëheqjes nga Lumir Abdixhiku është një e drejtë legjitime politike

Qani Shabani

  • 30 June 2026 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Qani Shabani

Zhvillimet e fundit në LDK nuk mund të lexohen si një përplasje e zakonshme mes kryetarit dhe disa degëve të partisë. Ato dëshmojnë për një gjendje shumë më të thellë: hyrjen e kësaj force politike në fazën e vetëkonsumimit të brendshëm, një proces që në teorinë politike konsiderohet ndër më të rrezikshmit për jetëgjatësinë, kohezionin dhe funksionalitetin e çdo organizate politike. Kur energjia e një partie nuk shkon më drejt ndërtimit të alternativës qeverisëse, por shpërndahet në akuza të ndërsjella, përplasje fraksionesh dhe beteja për kontroll strukturor, atëherë kriza nuk është më thjesht funksionale; ajo bëhet ekzistenciale.

-Refuzimi i dorëheqjes nga Lumir Abdixhiku është, pa dyshim, një e drejtë legjitime politike dhe pjesë e logjikës së mbrojtjes së mandatit të fituar brenda partisë. Megjithatë, mënyra se si ai zgjodhi t’u përgjigjet kritikëve, duke folur për “sabotim të thellë”, për “projekte për ndarjen e LDK-së” dhe duke kërkuar dorëheqjen e kryetarëve të degëve të Pejës dhe Lipjanit, tregon se konflikti ka kaluar përtej kufijve të një debati normal mbi përgjegjësinë politike. Ai është shndërruar në një përballje për kontrollin e narrativës, të autoritetit dhe të vetë arkitekturës së partisë.

Pikërisht për këtë arsye mund të thuhet se LDK-ja ka hyrë në fazën e vetëkonsumimit politik. Në vend që vëmendja të përqendrohej te analizimi i shkaqeve të rezultatit zgjedhor, te riorganizimi i brendshëm dhe te ndërtimi i një strategjie të re opozitare, debati është zhvendosur drejt konfliktit të brendshëm. Një parti që merret më shumë me kundërshtarët brenda vetes sesa me kundërshtarët politikë jashtë saj, rrezikon të humbasë identitetin, kohezionin dhe besimin e elektoratit.

Historia politike në Kosovë dhe në ka treguar vazhdimisht se partitë nuk dobësohen vetëm nga rivalët e jashtëm. Shumë më shpesh ato gërryhen nga brenda: nga luftërat për pushtet, nga kryeneqêsiai e lidershipit, nga fraksionizmi dhe nga mungesa e një kulture të mirëfilltë të llogaridhënies. Këta faktorë prodhojnë atë që në shkencat politike njihet si erozion i ngadalshëm i kapitalit politik të një partie, një proces që nuk shpërthen menjëherë, por e zbraz gradualisht substancën e saj politike.

Në këtë kontekst, përdorimi i termit “sabotim” është politikisht shumë i rëndë. Nëse sabotimi ekziston realisht, atëherë kemi të bëjmë me një krizë serioze organizative që kërkon hetim, transparencë dhe përgjegjësi. Nëse nuk ekziston, atëherë ky diskurs rrezikon të shërbejë si instrument për delegjitimimin e mendimit kritik dhe për mbylljen e hapësirës së debatit të brendshëm. Në të dy rastet, dëmi është i madh, sepse krijohet një klimë mosbesimi ku dialogu zëvendësohet nga polarizimi dhe ku kundërshtimi politik trajtohet si armiqësi.

Po aq problematik është edhe egocentrizmi politik, një fenomen në të cilin autoriteti i partisë identifikohet pothuajse plotësisht me figurën e liderit. Asnjë parti demokratike nuk mund të funksionojë mbi parimin se kritika ndaj kryetarit është automatikisht sulm ndaj vetë partisë. Përkundrazi, aftësia për të përballuar kritikën, për ta dëgjuar atë dhe për ta përfshirë në procesin e korrigjimit të brendshëm, është shenjë e pjekurisë institucionale dhe jo e dobësisë politike.

Një tjetër rrezik i madh është përqendrimi i besnikërisë personale, ku besnikëria ndaj individëve zëvendëson meritokracinë dhe debatin programor. Kur strukturat ndahen në kampe besnikësh dhe kundërshtarësh, vendimmarrja humbet karakterin institucional dhe shndërrohet në një garë për ndikim personal. Kjo sjell stagnim, ul moralin e strukturave, dobëson disiplinën organizative dhe largon elektoratin e pavendosur, i cili zakonisht kërkon seriozitet, qartësi dhe stabilitet.

Nëse kjo krizë vazhdon të menaxhohet me improvizim politik, pa reflektim dhe pa dialog gjithëpërfshirës, ekziston rreziku që përplasja të degradojë në një maskaradë politike, ku deklaratat publike dhe komunikimet mediatike zëvendësojnë proceset demokratike të vendimmarrjes. Në një situatë të tillë, humbësi më i madh nuk është vetëm lidershipi aktual, por vetë LDK-ja si parti politike ,sepse një parti që e humb aftësinë për t’u vetërregulluar, e humb edhe aftësinë për të qenë alternativë serioze qeverisëse.

LDK nuk mund të trajtohet si një hapësirë për përfitime të ngushta, ku secili grup përpiqet të kontrollojë strukturat për interesat e veta. Ajo është një parti me histori shtetformuese dhe me një barrë të madhe simbolike e politike. Pikërisht për këtë arsye, zgjidhja nuk mund të vijë përmes përjashtimeve, etiketimeve apo demonstrimit të kushtëzimeve, por përmes një procesi të sinqertë të reflektimi politik, rishikimtorganizativ dhe rikthimi te parimet që e kanë mbajtur gjallë këtë subjekt në periudhat më të vështira.

Në aspektin strategjik, sfida e Lumir Abdixhikut nuk është të fitojë një betejë ndaj disa kritikëve të brendshëm. Sfida e tij është të pozicionohet si Lider relevant bashkë me Vjosa Osmanin dhe qellimi është i qartë , Të propozoj Vjosa Osmani për Presidente në një kualicion eventual me Lëvizjen Vetvendosje.

Në fund, mësimi politik është i qartë: partitë nuk rrëzohen domosdoshmërisht nga kundërshtarët e jashtëm; ato bien kur konsumohen nga brenda. Kur egocentrizmi zëvendëson kolegjialitetin, besnikëria personale zëvendëson meritokracinë, improvizimi zëvendëson strategjinë dhe përplasjet e brendshme zëvendësojnë debatin politik, atëherë fillon procesi i erozionit të ngadaltë të një partie. Sot, pikërisht ky është rreziku real me të cilin përballet LDK-ja.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".