A EKZISTON FARE APO KA VDEKUR SHOQATA E PENSIONISTËVE TË KOSOVËS?!...
Ismail Muçiqi
Shkruan Ismail Muçiqi
Shoqata e pensionistëve të Kosovës, përkatësisht zyra qendrore në Prishtinë, ka dështuar katërcipërisht në mbrojtjen e të drejtave elementare të pensionistëve të Republikës së Kosovës. Kjo Shoqatë, e mbyllur në vetvete, më shumë është angazhuar për t'u bërë pjesë e partive politike të caktuara, të cilat, përmes formave më të ndryshme, i kanë përkrahur individët në krye të Shoqatës për t'ua vjelur votat pensionistëve sa herë që janë organizuar zgjedhjet në Kosovë.
Është interesant të theksohet se udhëheqësia e pensionistëve të Kosovës më shumë është angazhuar për t'i ruajtur pozitat, të cilat i mbajnë me vite e vite me radhë, sesa që janë preokupuar për të përmirësuar gjendjen aktuale socialoekonomike të pensionistëve të Kosovës, kontributdhënës, të cilët gjysmën e jetës kanë derdhur djersë, duke dhënë kontribute për ndërtimin e Kosovës. Paradoksi edhe më i madh është se, në këtë institucion, në krye të Shoqatës së pensionistëve të Kosovës erdhën individë të caktuar përmes çelësit partiak të partive në pushtet. Kështu, vite me radhë, në krye të pensionistëve të Kosovës, si kryetar i Shoqatës, ishte Shaban Kajtazi, i cili, në vend që të kontribuojë për avancimin e pozitës materiale të kësaj kategorie, ai, pas mandatit në krye të Shoqatës, e solli mikun e shtëpisë së tij, Zijadin Gashi. Ky avazh i konfliktit të interesit familjar, miqësor e klanor, vazhdoi edhe tani, kur i njëjti ish-kryetar, Nijazi Gashi, ia dorëzoi mandatin një personi të caktuar, që ishte pjesë e klanit të tij shumëvjeçar. Kjo gjendje në Shoqatën e pensionistëve ndikoi negativisht edhe në avancimin e pozitës materiale të kësaj kategorie, e cila, për shkak të moshës dhe shëndetit të rrezikuar, po reduktohet çdo ditë e më shumë. Sot pensionistët e Kosovës janë kategoria më e anashkaluar, e përbuzur, e cila ka mbetur në fatin e kohës, pa përkrahje meritore nga institucionet e shtetit e, jo si jo, nga familja apo rrethi ku jetojnë. Pensionet në Kosovë janë qesharake në krahasim me inflacionin dhe kohën në të cilën po jetojmë.
Në bazë të të dhënave statistikore, në Kosovë kanë mbetur edhe 34 mijë pensionistë kontributdhënës, numër ky simbolik, që jeton në kushte shumë të rënda, për shkak se shuma e pensionit që marrin nuk mjafton as për sigurimin e barnave e, jo si jo, për nevojat e ushqimit, veshmbathjes dhe gjërave tjera të nevojshme për jetën. Koha ka treguar, gjatë proceseve të ndryshme të historisë së zhvillimit shoqëror, se shteti, i cili nuk i trajton në mënyrë meritore paraardhësit, përkatësisht pensionistët, që i kanë dhënë shumë shoqërisë dhe shtetit, nuk mund të thuhet se është shtet normal apo ka fare perspektivë. Andaj, më thotë mendja se është koha e fundit që rrjeti i pensionistëve të degëve nëpër komunat e Kosovës sa më parë të reagojnë për këtë situatë të mjerueshme në kreun e Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, duke kërkuar shkarkimin e udhëheqësisë aktuale, në mënyrë që të bëhet rizgjedhja e organeve të reja në këtë institucion, ku pensionistët e kanë të vetmen shpresë për ta përmirësuar gjendjen socialoekonomike derisa janë në jetë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
