Ilaçi kundër diabetit, i dobishëm për humbje të peshës

  • 15 May 2019 - 12:32
Ilaçi kundër diabetit, i dobishëm për humbje të peshës

Ilaçi që përdoret te të sëmurët me diabet, liraglutide (Victoza) mund të ndihmojë në humbjen e peshës së tepërt edhe te personat që nuk vuajnë nga diabeti, tregon një studim i ri.

Gjatë këtij studimi të përdorimit të ilaçit si ndihmesë ndaj dietës, gjatë një viti personat me mbipeshë kanë humbur mesatarisht 8% të peshës trupore, krahasuar me 2.6% të atyre që nuk merrnin ilaç, por placebo (substancë pa ndikim).

"Liraglutide, një preparat injektues, i cili tanimë është miratuar për t'u përdorë te personat me diabet, mund të ndihmojë në humbjen e kileve të tepërta nëse përdoret në doza më të mëdha sesa ato të diabetit", thotë udhëheqësi i studimit, Dr. John Wilding, kreu i Departamentit të obezitetit dhe endokrinologjisë në Universitetin e Liverpulit, Angli. Me këtë rast është parë se Victoza mund të arrijë rezultat të dyfishtë, krahasuar me ilaçin konkurrent, orlistat (Xenical). Victoza ndikon duke ulur nivelin e sheqerit në gjak, por nuk çon deri te hipoglikemia.

(Kosova Sot Online)