Gishtat e ënjtura mund të jenë shenjë e një problemi të rëndë shëndetësor

  • 20 maj 2019 - 10:25
Gishtat e ënjtura mund të jenë shenjë e një problemi të rëndë shëndetësor

Vuani nga artriti dhe inflamacioni ju ka shkaktuar ënjtje të gishtave. Ose ndoshta keni konsumuar një vakt me shumë kripë dhe, si rezultat, unaza e martesës ka ngecur në gisht.

A duhet të shqetësoheni? Ndoshta jo. Gishtat ënjten për një sërë arsyesh, disa të padëmshme, por ndonjëherë ënjta mund të paralajmërojë për gjendje më të rënda shëndetësore. Ja cilat janë disa nga shkaqet më të zakonshme të ënjtjes së gishtave, dhe kur duhet të konsultoheni me mjekun.

Abuzimi me kripën

Teprimi me ushqimet shumë të kripura mund t’ju shkaktojë ënjtje të gishtave. Trupi përpiqet që të mbajë një balancë të ujit dhe kripës. Duke konsumuar shumë kripë, trupi e kompenson këtë duke ruajtur shumë ujë në trup, prandaj krijohet edhe ënjtja.

Zakonisht, ënjtja e shkaktuar nga konsumimi i tepërt i ushqimeve të kripura largohet vetvetiu brena disa ditësh. Nëse e keni kufizuar kripën dhe vazhdoni t’i keni sërish duart e ënjtura, duhet të konsultoheni me një mjek.

Osteoartriti ose artriti reumatoid

Nëse ju janë ënjtur artikulacionet kockore të gishtave, shkaku mund të jetë osteoartriti, sidomos nëse i keni gishtat të ënjtura në mëngjes. Osteoartriti shoqërohet shpesh (jo gjithmonë) me dhembje dhe ngurtësim të gishtave. Artriti reumatoid, një sëmundje autoimunitare që prek veshjen e brendshme të artikulacioneve, mund të shkaktojë gjithashtu ënjtje. Ndryshe nga osteoartriti, artriti reumatoid nuk është një sëmundje e lidhur me moshën dhe mund t’i ndodhë kujtdo, në çdo moshë. Zakonisht njerëzit me artrit reumatoid kanë ënjtje të kyçeve dhe artikulacioneve të gishtave.

Bllokim në sistemin limfatik

Limfedema është një sëmundje e ënjtjes së gjymtyrëve që shfaqet kur lëngjet limfatike (që mbajnë papastërti, baktere dhe viruse) nuk zbrazen siç duhet. Në këtë rast mund të ënjtjen gishtat e duarve dhe të këmbëve, si dhe në disa raste edhe i gjithë krahu dhe këmba. Lëkura gjithashtu mund të duket më e tendosur ose më e ënjtur se zakonisht. Trajtimet me rreze për kancerin e gjirit zakonisht bëhen shkak për zhvillimin e limfedemës. Në raste më të rralla, limfedema mund të shkaktohet gjithashtu edhe nga një zhvillim jonormal i sistemit limfatik.

Preklampsia

Ënjtja është tipike për gratë shtatzëna. Megjithatë, ënjtja e duarve dhe fytyrës – sidomos nëse krijohet një hapësirë bosh në lëkurë kur e prekni me gishtin tregues – mund të jetë shenjë e preklampsisë. Kjo gjendje karakterizohet nga tensioni i lartë i gjakut dhe, nëse lihet pa trajtuar, mund të shkaktojë ndërlikime të rënda si për nënën ashtu edhe beben.

Sëmundja Raynaud

Shfaqet nga ngushtimi i arterieve si pasojë e motit të ftohtë ose stresit. Nga ngushtimi i arterieve kufizohet edhe qarkullimi i gjakut. Ënjtja, së bashku me mpirjen ose ndjesinë e shpimit me gjilpërë, shfaqet kur gjaku fillon të qarkullojë normalisht (kur ju ngrohen duart ose nuk keni më probleme me stresin). Kjo gjendje është më e zakonshme te gratë sesa te burrat.

Aktiviteti fizik

Gjatë aktivitetit fizik, duart mund të ënjten duke qenë se enët e gjakut në trup reagojnë ndaj nevojës që kanë muskujt për shtim të energjive. Gjatë stërvitjes trupi prodhon nxehtësi. Sistemi vaskular bën që të lëshohen më shumë lëngje në gishta, si të duarve ashtu edhe këmbëve. Kjo është një mënyrë që trupi të ftohet.

Probleme me veshkat

Nëse veshkat nuk i filtrojnë mirë të gjitha lëngjet, trupi do t’i ruajë ato, dhe si pasojë shkaktohet ënjtja në disa pjesë të trupit, njohur në gjuhën mjekësore si edema.

Edema mund të prekë çdo pjesë të trupit, megjithatë shkakton më shumë ënjtje të duarve, këmbëve dhe artikulacioneve. Veshkat rregullojnë dhe elektrolitet në tru, kështu çdo lloj problemi me veshkat mund të ndikojë te ky proces. Hipertensioni dhe diabeti janë disa nga sëmundjet që mund të shkaktojë këto probleme me veshkat.

Ilaçet

Duhet theksuar gjithashtu se disa ilaçe mund të shkaktojnë ënjtje të gishtave të duarve dhe këmbëve. Ilaçet për tensionin e lartë të gjakut, diabetin, steroidet dhe pilulat për kontrollin e lindjeve mund t’ju kenë shkaktuar ënjtje të gishtave.

Sindroma e tunelit karpal

Një nga shkaktarët e ënjtjes së gishtave të dorës është edhe sindroma e tunelit karpal, një gjendje ku nervi i mesit, që fillon nga parakrahu deri tek dora, fillon të tkurret në kyçin e dorës.

Kjo sindromë është sidomos e zakonshme për njerëzit që kalojnë shumë kohë duke punuar para kompjuterit. Ënjtja zakonisht shoqërohet edhe me dhimbje, mpirje apo ndjesinë e shpimit me gjilpërë të gishtave ose dorës.

Temperaturat e larta

Nxehtësia shkakton zgjerim të enëve të gjakut. Me tendosjen e enëve të gjakut, një pjesë e lëngjeve mund të kalojë tek indet e buta dhe të shkaktojë ënjtje.

Ky lloj i ënjtjes zakonisht largohet vetvetiu ndërkohë që vazhdoni aktivitetin e përditshëm. Por, nëse vëreni ënjtje vetëm në duart e gishtave (dhe jo të këmbëve), të shoqëruar edhe me dhimbje ose dobësi, mund të jetë shenjë jo vetëm e nxehtësisë, prandaj duhet të konsultoheni me një mjek.

(Kosova Sot Online)