Shijet ushqimore që ju ndihmojnë të humbni në peshë

  • 15 July 2019 - 09:23
Shijet ushqimore që ju ndihmojnë të humbni në peshë

Të gjithë ne i njohim katër shijet kryesore: të ëmblën, të thartën, të hidhtën dhe të njelmëtën, por a e dini se ekziston edhe shija e pestë? Ajo quhet umami dhe një studim i ri tregon se ajo ka ndikim unik te apetiti.

Ja pesë ushqime të pasura me këtë shije, umami, që mund t'ju ndihmojnë të hani më pak dhe, si rezultat i kësaj, të dobësoheni.

KËRPUDHAT

Kërpudhat i kanë vetëm 20 kalori për shujtë dhe ato janë burimi i vetëm bimor i vitaminës D, një përbërësi kryesor ushqimor që ndikon në zvogëlimin e rrezikut nga diabeti i tipit II, sëmundjet e zemrës, presioni i lartë i gjakut, osteoporoza dhe disa lloje të kancerit. Studimet po ashtu vejnë në pah lidhjen midis mungesës së vitaminës D dhe sasisë së gjithmbarshme të dhjamit në organizëm. Kërpudhat po ashtu përmbajnë antioksidues unikë, të cilët e luftojnë plakjen dhe sëmundjet e zemrës. Përbërësit e kërpudhave është parë se mbrojnë nga kanceri i gjirit, duke penguar rritjen e tepërt të nivelit të estrogjeneve në organizëm. Kërpudhat mund të përdoren në supa, sallata, pica, thuajse në të gjitha gjellët. 

ZHARDHOKU I KËRPUDHAVE (TARTUFI)

Z hardhoku i kërpudhave, apo tartufi, është njëra nga delikatesat më të çmueshme botërore, i cili përmban tri lloje të substancave natyrore me shije umami. Ky lloj i bimës, i cili është quajtur edhe "diamant i kuzhinës", është tepër i shtrenjtë për shkak se kultivohet me vështirësi, por, për fat të mirë, mjafton një sasi e vogël e tij, që gjellëve t'iu japë shije karakteristike. Ai mund të gërryhet dhe të qitet në sallata perimesh, në spageta, apo në specialitete me peshq.

ÇAJI I GJELBËR

Lista e përfitimeve që sjell çaji i gjelbër është tepër e gjatë. Konsumimi i rregullt i këtij çaji lidhet me zvogëlimin e rrezikut nga mbipesha, sëmundjet e zemrës, rritja e shtypjes së gjakut, kanceri, si dhe osteoporoza. Përpos si çaj, bimën e çajit jeshil mund ta shtoni edhe në gjellë të ndryshme. Çajin jeshil të bluar mund ta shtoni edhe në supa, apo salca të ndryshme.

LESHTERIKËT

Dobitë që i kemi nga leshterikët fillojnë nga mbrojtja e zemrës, deri te parandalimi i peshës së tepërt. Një studim i bërë tash vonë tregon se disa proteina të leshterikëve kanë veprim të njëjtë me ilaçet kundër shtypjes së lartë të gjakut dhe në një studim me minj është parë se një përbërës i leshterikut të kaftë ndihmon në shkrirjen e dhjamit të tepërt trupor. Për më tepër, jodi që gjendet te leshterikët ndihmon në rregullimin e punës së gjëndrës tiroide, kurse magnezi i tyre mund ta përmirësojë disponimin dhe ta rregullojë gjumin.

DOMATET

Nivelet e acidit glutamik, i cili siguron shijen umami, janë më të mëdha sa më të kuqe që janë domatet. Domatet mund të përdoren në mijëra mënyra, si sallatë, si shtesë për ushqime, si salca... Për më tepër, zierja e domateve siguron më shumë likopen, një substancë e cila zvogëlon rrezikun nga sëmundjet e zemrës dhe kancerit, si dhe parandalon rrudhat në lëkurë.

(Kosova Sot Online)