Seleni, i rëndësishëm për shtatzënat!

  • 06 November 2019 - 09:37
Seleni, i rëndësishëm për shtatzënat!

Dihet se, gjatë shtatzënësisë, gruaja nuk ha vetëm për veten, por edhe për embrionin që e ka në bark. Po ashtu dihet se, çdo ushqim dhe pije që konsumon nëna, në një masë të madhe, apo të vogël, shkon edhe te embrioni, te fëmija pra. Deri tani është shkruar shumë rreth atyre ushqimeve dhe pijeve të cilat duhet t'i evitojnë gratë shtatzëna, prandaj kësaj here do të flasim për diçka të dobishme, për mineralin e quajtur selen dhe për rolin e tij si përbërës i menysë së grave shtatzëna.

Minerali selen luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e shëndetit riprodhues të femrës, ka treguar një studim i bërë në Universitetin e Adelaidës, në Australi. Deri më tani dihej se seleni ishte i dobishëm për fertilitetin e meshkujve, por studimi i ri është marrë me rolin e tij në shtatzënësi, respektivisht në vendin e grumbullimit të selenit dhe seleno-proteinës së veçantë në vezore. Me këtë rast është vërejtur se niveli i selenit dhe seleno-proteinës është i rritur në folikulet e shëndetshme të vezoreve, meqë ai luan rol kyç gjatë fazave përfundimtare të zhvillimit të folikuleve. Ushqimet e pasura me selen janë frutat e detit, peshqit, mëlçia e viçit, vezët, mishi i kuq dhe drithërat.

(Kosova Sot Online)