Gjashtë ushqimet më të shëndetshme

  • E.K /
  • 23 September 2020 - 13:32
Gjashtë ushqimet më të shëndetshme

Ka shumë ushqime të shëndetshme, apo thënë më mirë, të dobishme për ruajtjen e shëndetit tonë. Sikur të na duhej të përzgjidhnim vetëm gjashtë prej tyre, ato do të ishin, si vijon.

1 - MOLLËT

Mollët janë burim i mrekullueshëm i antioksiduesve, të cilët luftojnë radikalet e lira. Dihet se radikalet e lira dëmtojnë qelizat dhe shkaktojnë plakje të parakohshme. Disa studime kanë treguar se antioksiduesit e mollëve, të quajtur polifenole, mund ta zgjasin jetën. Kërkuesit shkencorë nga Universiteti shtetëror i Floridës, thonë se mollët janë "pemë mrekullibërëse". Studimi i tyre tregon se mollët ndikojnë në uljen e nivelit të kolesterolit të keq.

2 - BAJAMET

Në vendin e dytë gjenden bajamet. Ato janë të pasura me shumë përbërës të dobishëm ushqimorë, në rend të parë me magnez, vitaminë E, hekur, kalcium, fibra dhe riboflavinë. Bajamet ndihmojnë në mbajtjen e niveleve adekuate të kolesterolit dhe janë pemët më të pasura me fibra, në kuadër të llojit të vet. Deri në 91-94% përmbajnë yndyra të pangopura, të cilat janë shumë të dobishme për shëndetin.

3 - BROKOLI

Brokoli është i pasur me fibra, kalcium, kalium, folate dhe fitonutricientë. Fitonutricientët janë substanca që e zvogëlojnë rrezikun nga sëmundjet e zemrës, diabeti dhe disa lloje të kancerit. Brokoli po ashtu përmban edhe vitaminë C, si dhe beta karotinë, si antioksidues të fortë. Një shujtë e vetme me 100 gramë brokoli përmban me mbi 150% të sasisë së rekomanduar ditore të vitaminës C, gjë që e shkurton zgjatjen e ftohjes së rëndomtë. Një përbërës tjetër i brokolit, sulforfani, besohet se ja veti antiinflamatore dhe antikancerogjene. Por, nëse brokolit i ziejmë tepër, atëherë ua humbim të gjitha vetitë e dobishme.

4 - BORONICAT

Boronicat janë të pasura me fibra, antioksidues dhe fitonutricientë. Fitonutricientët nuk janë të domosdoshme për organizmin tonë, sikur që janë vitaminat dhe mineralet, por megjithatë mund të parandalojnë shumë sëmundje. Sipas një studimi të bërë në Shkollën e mjekësisë në Harvard, pleqtë që konsumojnë mjaft boronica, janë më pak të rrezikuar nga varfërimi i memories, krahasuar me pleqtë e tjerë. Shkencëtarët nga Universiteti i Teksasit kanë konstatuar se boronicat ndihmojnë humbjen e kileve të tepërta dhe janë efikase kundër hipertensionit.

5 - PESHQIT ME DHJAMË

Peshqit me dhjamë përfshijnë shumë lloje të tyre, si: salmoni, trofta, harenga, sardelet etj. Pjesa më e madhe e yndyrave të këtyre peshqve janë në formë të acideve yndyrore omega-3. Këto vajra janë të dobishme për zemër, si dhe për sistemin nervor. Peshqit me dhjamë janë të dobishëm edhe për pacientët me gjendje inflamatore, sikur që është artriti.

6 - PERIMET E GJELBRA ME FLETË

Studimet kanë treguar se konsumimi i sasive të mëdha të perimeve të gjelbra me fletë, sikur që është spinaqi, mund ta zvogëlojë rrezikun nga paraqitja e diabetit të tipit 2. Kërkuesit shkencorë nga Universiteti i Leiçesterit, Angli, thonë se ndikimi i perimeve të tilla në shëndetin e njeriut duhet të hetohet edhe më shumë, por ajo që dihet është se spinaqi, p.sh. është shumë i pasur me antioksidues, sidomos kur trajtohet vetëm pak termikisht. Ai është edhe burim i mirë i vitaminave A, B6, C, E dhe K, si dhe i shumë mineraleve, si selenit, niacinës, zinkut, fosforit, kaliumit, kalciumit, manganit dhe, natyrisht, hekurit.

(Kosova Sot Online)