Rrënja e Artë, efikase kundër depresionit

  • E.K /
  • 26 nëntor 2020 - 13:47
Rrënja e Artë, efikase kundër depresionit

Një bimë që përdoret në mjekësinë popullore evropiane tash e më shumë se 3000 vjet, mund të ofrojë një trajtim alternativ për depresionin, thotë një studim i ri. Bëhet fjalë për bimën e cila quhet Rrënja e Artë, apo në latinisht, Rhodiola rosea. Studimi i ri, i botuar në revistën "Phytomedicine", ishte udhëhequr nga Dr. Jun J. Mao, profesor i mjekësisë familjare në Universitetin e Pensilvanisë. Edhe studimet paraprake kishin treguar se Rhodiola rosea mund ta ngrisë disponimin duke stimuluar receptorët e neurotransmetuesve të trurit, sikur që janë dopamina dhe serotonina, të cilat marrin pjesë në rregullimin e humorit (disponimit).

Në studimin, i cili për herë të parë ka testuar efektin e kësaj bime, kërkuesit shkencorë krahasuan efektin e bimës te depresioni i moderuar madhor, duke e krahasuar këtë efekt me efektin e sertralinës, një ilaçi i cili përdoret zakonisht kundër depresionit. Në studimin ku morën pjesë 57 persona të rritur, u pa se sertralina ishte më efikase për largimin e simptomave të depresionit, por efekti i bimës Rhodiola ishte vetëm pak më i dobët sesa ai i ilaçit. Kur dihet se ilaçet kanë efekte anësore, atëherë mjekimi me bimë bëhet edhe më i preferuar.

(Kosova Sot Online)