Studimi britanik: Mpiksja e gjakut nga vaksina AstraZeneca ka vdekshmëri të lartë

  • E.K /
  • 12 August 2021 - 12:20
 Studimi britanik: Mpiksja e gjakut nga vaksina AstraZeneca ka vdekshmëri të lartë

Ndonëse shumë i rrallë, një sindrom i mpiksjes së gjakut pas dozës së parë të vaksinës së kompanisë AstraZeneca paraqet rrezik të lartë për vdekje dhe mund të shfaqet te personat e rinj dhe të shëndoshë, sipas hulumtuesve britanikë.

Të dhënat tregojnë se te personat nën moshën 50-vjeçare, mpiksja e gjakut shfaqet te një person në çdo 50.000 njerëz që e kanë marrë vaksinën, shkruan The Guardian.

Shkencëtarët i ekzaminuan simptomat, shenjat dhe rezultatet në 220 raste të vërtetuara dhe të mundshme, të cilat u paraqitën në spitalet britanike mes 22 marsit e 6 qershorit të këtij viti.

“Është me rëndësi që të thuhet se ky lloj i reagimit ndaj vaksinës së AstraZeneca-s dhe Oksfordit është shumë i rrallë”, tha Dr. Sue Pavord, udhëheqëse e analizës së publikuar në revistën “The New England Journal of Medicine”.

Por për ata që kanë mpiksje të gjakut, rezultatet mund të jenë shkatërruese, shtoi ajo. “Kjo shpesh i prek të rinjtë, personat e shëndoshë që e marrin vaksinën dhe ka shkallë të lartë të vdekshmërisë. Është veçanërisht e rrezikshme, kur pacienti ka sasi të ulët të trombociteve dhe gjakderdhjes në tru”, tha Pavord.

50 për qind e rasteve në analizë nuk kishin pasur sëmundje në të kaluarën dhe duket se nuk ka faktorë të veçantë individualë të rrezikut për këtë sindrom, thotë Beverley Hunt, profesoreshë e trombozës dhe hemostazës në King’s College London.

Hulumtuesit zbuluan në analizë se sindromi i njohur edhe me shkurtesën VITT la të vdekur 23 për qind të personave që ishin pjesë e studimit. Rreziku nga vdekja rritet në 73 për qind te pacientët me nivel të ulët të trombociteve dhe gjakderdhjes në tru pas mpiksjes së gjakut në tru.

(Kosova Sot Online)