Studimi/ Dozat përforcuese të Covid nuk ofrojnë mbrojtje kundër Omicron

  • G.G /
  • 22 January 2022 - 10:13
Studimi/ Dozat përforcuese të Covid nuk ofrojnë mbrojtje kundër Omicron

Dozat përforcuese nga vaksinat me mARN, të tilla si ato të prodhuara nga Pfizer Inc. dhe BioNTech SE, nuk arritën të ofronin mbrojtje ndaj variantit Omicron në një studim të disa prej rasteve të para të dokumentuara të personave të vaksinuar që janë infektuar më pas nga varianti shumë ngjitës.

Shtatë vizitorë gjermanë në Cape Town kaluan infektime simptomatike të COVID-19 në periudhën ndërmjet fundit të nëntorit dhe fillimit të dhjetorit, pavarësisht se ishin të vaksinuar edhe me dozë përforcuese, thuhej në gjetjet e publikuara të martën në The Lancet nga studiuesit, investigimi i të cilëve u autorizua nga Universiteti i Cape Town dhe Universiteti Stellenbosch. Të gjitha rastet ishin të lehta ose të moderuara, duke mbështetur kështu faktin se dozat përforcuese të vaksinave ndihmojnë për të shmangur sëmundjen e rëndë, vdekjen dhe shtrimin në spital.

Megjithatë, gjetjet demonstrojnë aftësinë e Omicron për t’iu shmangur imunitetit të krijuar edhe nga dozat përforcuese të vaksinave më të fuqishme COVID-19. Kjo nënvizon nevojën për të vazhduar luftën kundër pandemisë edhe me masa të tjera përveç vaksinimit, të tilla si distancimi social dhe mbajtja e maskave, thanë autorët.

Këto doza duket se ofrojnë mbrojtje kundër Omicron edhe nëpërmjet pjesëve të tjera të sistemit imunitar përveç antitrupave, si për shembull nëpërmjet qelizave T. Deri më tani, të dhënat spitalore dhe të vdekshmërisë kanë qenë më pak të rënda krahasuar me variantin Delta që dominonte më herët.

Programet e dozave përforcuese

Përhapja e shpejtë globale e Omicron, i ciki u identifikua për herë të parë në Botsvana dhe në Afrikën e Jugut në fund të nëntorit, ka nxitur Mbretërinë e Bashkuar, SHBA-në, Afrikën e Jugut dhe disa vende të tjera që të përshpejtojnë ose të fillojnë me programet e dozave përforcuese. Megjithatë, studimet e fundit tregojnë kufizimet që do të kenë këto plane.

Vaksinat e prodhuara me teknologjinë e re mARN kanë dalë në pah gjatë pandemisë COVID-19. Këto vaksina i udhëzojnë qelizat të prodhojnë antitrupa shumë specifikë që bllokojnë proteinën spike të koronavirusit, e cila e lejon virusin të hyjë në qelizat njerëzore. Vaksinat tradicionale përdorin viruse të çaktivizuara ose të vdekura për të stimuluar një përgjigje nga sistemi imunitar.

Të dhënat paraprake nga një një testim në Izrael që përfshiu 154 punonjës të sistemit shëndetësor – i cili u publikua të hënën, vetëm dy javë pas fillimit të studimit – treguan se një dozë e katërt e vaksinës Pfizer nuk parandaloi infektimin me Omicron. Megjithatë, personat që morën pjesë në testim kishin simptoma të lehta ose nuk patën fare të tilla.

Të dhënat nga Mbretëria e Bashkuar kanë treguar gjithashtu një rritje të konsiderueshme të mbrojtjes kundër infektimit simptomatik dhe shtrimit në spital pas një doze përforcuese, por këto të dhëna tregojnë se mund të jetë nevoja për një dozë të katërt për personat mbi 65 vjeç, sipas një raporti nga Bloomberg Intelligence.

Në studimin e Cape Town, katër nga gjermanët po trajnoheshin në spitalet lokale, tre ishin me pushime dhe të gjithë ishin midis moshës 25 dhe 39 vjeç. Pesë ishin femra, dy ishin meshkuj dhe asnjë prej tyre nuk ishte obez.

Pesë prej tyre kishin marrë tre doza të vaksinës Pfizer-BioNTech, ndërsa njëri kishte bërë vaksinën e Moderna Inc. – e prodhuar gjithashtu me teknologjinë mARN – e ndjekur më pas nga një dozë përforcuese Pfizer. Personi i fundit kishte marrë një dozë të vaksinës të AstraZeneca Plc, shoqëruar me dy doza të Pfizer. Asnjë nuk raportoi një infektim të mëparshëm me COVID-19. Pesë nga personat e kishin marrë dozën e tyre përforcuese në fund të tetorit ose në fillim të nëntorit.

‘Një mundësi unike’

“Prania e këtij grupi nga Gjermania paraqiti një mundësi unike për të studiuar infektimet me Omicron tek individët e vaskinuar me doza përforcuese të vaksinave me mARN,” thanë studiuesit.

Të gjithë personat raportuan fillimin e simptomave të frymëmarrjes midis 30 nëntorit dhe 2 dhjetorit dhe patën një sëmundje të lehtë ose të moderuar, thanë ata.

Studiuesit thanë se te këta persona u zbuluan përgjigje të forta nga qelizat T. “Sëmundja me simptoma të lehta deri në të moderuara tregon që vaksinimi i plotë i shoqëruar nga një dozë përforcuese ofron gjithsesi mbrojtje të mirë kundër simptomave të rënda të shkaktuara nga Omicron,” thanë ata.

Si përfundim, do të nevojiten vaksina më të mira për të parandaluar infektimet simptomatike me Omicron, thanë ata.

(Kosova Sot Online)