Stili mesdhetar i të ushqyerit po fiton vazhdimisht vlerësime

  • A.P /
  • 25 October 2023 - 14:40
Stili mesdhetar i të ushqyerit po fiton vazhdimisht vlerësime

I pasur me fruta dhe perime shumëngjyrëshe, yndyrna të shëndetshme dhe proteina pa yndyrë, stili mesdhetar i të ushqyerit fiton vazhdimisht vlerësime për listën e tij të gjatë të përfitimeve shëndetësore, duke përfshirë parandalimin e sëmundjeve të zemrës dhe diabetit.

Tani, një studim i ri nga Spanja tregon se kjo mënyrë e të ushqyerit, kur kombinohet me ushtrime të rregullta dhe më pak kalori, mund të zvogëlojë yndyrën e rrezikshme të barkut tek njerëzit e moshuar duke ndihmuar në ruajtjen e masës së tyre muskulore.

 

Yndyra që grumbullohet rreth belit dihet se shkakton inflamacion dhe është e lidhur me sëmundjet e zemrës, goditjet në tru, diabetin dhe disa forma të kancerit.

Dihet se masa muskulore zvogëlohet me kalimin e moshës dhe kjo mund të çojë në dobësi, më pak lëvizshmëri dhe një shans më të madh për rrëzime.

Studimi, i udhëhequr nga studiuesja Dora Romaguera, nga Instituti i Kërkimeve Shëndetësore të Ishujve Balearik, përfshiu pak më shumë se 1 mijë e 500 njerëz të moshës së mesme dhe të moshuar që ishin mbipeshë ose obezë dhe kishin sindromë metabolike, një grup çrregullimesh që sinjalizojnë rrezikun e rritur të një personi për diabet, sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru.

Një grup njerëzish ndoqën një dietë mesdhetare duke ulur kaloritë me 30 për qind dhe duke rritur aktivitetin e tyre fizik, raporton “USnews".

Atyre iu tha gjithashtu të kufizonin konsumin e ushqimeve të përpunuara, mishit, gjalpit, sheqerit të shtuar dhe të hanin më shumë drithëra.

Por këshillat nuk u ndalën me ushqimin: ata gjithashtu u inkurajuan të rrisin aktivitetin e tyre fizik në mënyrë progresive, me synimin për të ecur 45 minuta në ditë ose më shumë në gjashtë ditë në javë, së bashku me ushtrime për të përmirësuar forcën.

Një grup i dytë njerëzish ndoqën një dietë mesdhetare pa kufizime në kalori apo ndryshime në aktivitetin fizik.

Njerëzit që reduktuan kaloritë e tyre dhe bënin ushtrime të rregullta duke iu përmbajtur një diete mesdhetare, treguan zvogëlim të yndyrës në bark dhe në total, dhe ata hoqën pjesën më të madhe të saj për tre vjet.

Në anën tjetër, njerëzit në grupin tjetër nuk panë ndonjë ndryshim në yndyrën e barkut.

Të dy grupet fituan një masë të dobët muskulore, por njerëzit në krahun e ushtrimeve plus kufizimin e kalorive humbën më shumë yndyrë sesa muskuj.

Studimi, i botuar më 23 tetor në revistën JAMA Network Open, paraqet rezultatet trevjeçare të një studimi tetë-vjeçar, i projektuar për të parë nëse ky stil i të ushqyerit mund të ulë rrezikun për sulm në zemër dhe goditje në tru.

Dy ekspertë nuk u befasuan që kombinimi bëri punë.

“Ky është një studim ambicioz dhe elegant”, tha Cewin Chao, drejtor i shërbimeve klinike të të ushqyerit në Montefiore Health System në New York City. “Nëse hani një dietë të cilësisë së lartë, ushtroni dhe reduktoni kaloritë, do të humbni më shumë yndyrë trupore, veçanërisht yndyrën më të rrezikshme më të thellë rreth zonës së barkut që rrethon organet tuaja dhe do të ruani më shumë muskuj. Këto investime duket se do të shpërblehen në tre vjet”.

“Nëse reduktoni marrjen e kalorive dhe rrisni aktivitetin tuaj fizik, do të humbni peshë. Kjo funksionon çdo herë”, tha Marion Nestle, një profesoreshë në pension e të ushqyerit, studimeve ushqimore dhe shëndetit publik në Universitetin e Nju Jorkut në New York City.


(Kosova Sot Online)