Shkencëtarët zbulojnë ‘zemrën e dytë’ tek trupi i njeriut

  • A.P /
  • 18 April 2025 - 10:59
Shkencëtarët zbulojnë ‘zemrën e dytë’ tek trupi i njeriut

Një zbulim i ri nga një ekip hulumtues i Universitetit të Kalifornisë Jugore ka ndryshuar mënyrën se si e kuptojmë funksionimin e sistemit tonë kardiovaskular. Sipas studimit të publikuar në ‘Journal of the Royal Society Interface’, aorta arteria kryesore që del nga zemra nuk është thjesht një tub pasiv, por luan një rol aktiv në qarkullimin e gjakut.

Aorta, pompa e dytë e trupit

Studiuesit e kanë quajtur këtë proces ‘pompimi i valëve’, pasi aorta zgjerohet dhe tkurret në sinkron me zemrën, duke shtyrë përpara gjakun dhe duke ndihmuar në ruajtjen e presionit të qëndrueshëm në arterie.

 

Kur zemra pompon gjakun, aorta zgjerohet dhe thith një pjesë të presionit. Pastaj, kur zemra është në fazën e pushimit, aorta tkurret dhe shtyn gjakun më tej nëpër sistemin e qarkullimit. Kjo lëvizje elastike është veçanërisht jetike tek pacientët me dështim të zemrës, pasi ndihmon në lehtësimin e ngarkesës që zemra duhet të përballojë.

 Aorta elastike/ 'Zemër më e qetë'

Ky zbulim hap rrugën për zhvillimin e terapive të reja që synojnë përmirësimin e elasticitetit të aortës. Një aortë më e shëndetshme do të thotë:

1.Rrjedhje më e qëndrueshme e gjakut
2.Më pak tendosje mbi zemrën
3.Reduktim i rrezikut për gulçim dhe lodhje kronike
4.Mbështetje për pacientët me sëmundje kardiake

Si u krye studimi?

Hulumtimi u zhvillua mbi 159 persona, nga të cilët 35 vuanin nga dështimi i zemrës, ndërsa 124 ishin individë të shëndetshëm, të moshës nga 20 deri në 92 vjeç. Përmes rezonancës magnetike, u regjistrua lëvizja e zemrës dhe aortës me çdo rrahje.
Rezultatet treguan se tek personat e shëndetshëm, aorta shtrihej deri në tre herë më shumë se tek ata me dështim të zemrës, një diferencë që tregon sa e rëndësishme është elasticiteti i saj.

Aorta artificiale në laborator

Studiuesit ndërtuan edhe një model artificial të aortës, duke përdorur lateks fleksibël dhe një motor që imitonte rrahjet e zemrës. Gjatë testimeve, ata zbuluan:

1.Sa më elastike arteriet, aq më efektive ishte rrjedhja e gjakut
2.Në rastin e pacientëve me insuficiencë kardiake, aorta ishte më e ngurtë dhe rimëkëmbja e saj pas zgjerimit ishte më e shpejtë, por më pak efektive
3.Ngurtësimi i aortës çon në rrjedhje më të ngadaltë të gjakut dhe presion të ulët në arterie

Aorta e ngurtë/ ‘Armiku i padukshëm’

Ngurtësimi i aortës shpesh ndodh për shkak të pllakave të kolesterolit dhe moshës, duke e bërë atë më pak elastike. Kjo ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e zemrës dhe mund të çojë në:

1.Dështim të zemrës
2.Rrezik të lartë për atak në zemër apo goditje në tru
3.Lodhje kronike dhe mungesë fryme

Ky studim shpalos një të vërtetë të re në shëndetësinë botërore, aorta nuk është thjesht një transportues gjaku, por një komponent aktiv në ruajtjen e shëndetit kardiovaskular.
Zbulimi ka potencialin të sjellë terapi të reja për parandalimin e sëmundjeve të zemrës. 


(Kosova Sot Online)