
Lexoni edhe:
Kush e befasoj Luanën me lule shumëngjyrëshe?
Ruajtja e shëndetit, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë është një synim i zakonshëm për shumë njerëz.
Megjithatë, rregullimi i peshës trupore, ndjenjës së urisë dhe ndjenjës së ngopjes ndodh automatikisht, pa ndonjë komandë të vetëdijshme. Ashtu si rrahjet e zemrës, tretja apo frymëmarrja, janë funksione që organizmi ynë i kryen në mënyrë të pavetëdijshme.
Kush e befasoj Luanën me lule shumëngjyrëshe?Lexoni edhe:
Hormonet luajnë një rol kyç në këtë proces. Ato janë përgjegjëse për dërgimin e sinjaleve drejt trurit, duke rregulluar urinë dhe ndjesinë e ngopjes.
Dy nga hormonët më të njohur në këtë funksion janë grelina dhe leptina, të cilat bashkëveprojnë edhe me hormone të tjera si GLP-1, kortizoli dhe insulina.
Si funksionon sistemi i rregullimit të urisë dhe ngopjes?
Ky sistem është thelbësor, pasi përcakton se sa ushqim i nevojitet vërtet trupit gjatë ditës. Kur ky mekanizëm prishet, mund të çojë në mbingrënie, më shumë sesa ka realisht nevojë organizmi dhe, me kalimin e kohës, në shtim në peshë apo obezitet.
Hormonet veprojnë si “lajmëtarë kimikë” që ndihmojnë në kontrollin e sasisë së ushqimit që konsumojmë. Uria dhe ngopja janë ndjesi të krijuara nga truri, si reagim ndaj një sërë sinjalesh biologjike, përfshirë nivelet e hormoneve të përmendura më sipër.
Ekziston një ndërveprim kompleks mes trurit, sistemit tretës dhe indit dhjamor të trupit. Grelina ka efekte afatshkurtra dhe nxit urinë për vaktin e radhës, ndërsa leptina vepron afatgjatë dhe ndihmon në mbajtjen e një peshe trupore normale, duke rregulluar ndjesinë e ngopjes dhe balancën energjetike.
Grelina njihet si “hormoni i urisë” për shkak të rolit të saj qendror në nxitjen e saj. Ajo prodhohet nga qelizat e stomakut dhe niveli i saj rritet sa më shumë kohë të kalojë pa ngrënë.
Nivelet e larta të grelinës në gjak janë një tregues se trupi ka nevojë për ushqim. Kur grelina arrin në tru, ajo stimulon ndjesinë e urisë. Pas ngrënies, prodhimi i grelinës ulet dhe truri ndalon së dërguari sinjale urie.
Grelina dhe pesha trupore
Megjithëse mund të duket paradoksale, personat me obezitet zakonisht kanë më pak grelinë në qarkullim, jo më shumë. Por gjatë humbjes në peshë përmes dietës, nivelet e grelinës shpesh rriten, duke e bërë më të vështirë ruajtjen e peshës së re. Ky është një nga arsyet pse shumë njerëz kanë vështirësi të shmangin rikthimin e peshës së humbur.
Nga ana tjetër, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale si bypass-i gastrik, niveli i grelinës ulët ndjeshëm, gjë që ndihmon në suksesin afatgjatë të këtyre trajtimeve për humbje peshe.
Nivele të larta greline janë vërejtur edhe te personat me anoreksi nervore apo kaheksi, si një përgjigje biologjike ndaj humbjes së konsiderueshme në peshë.
Leptina – Kontrolluesja e yndyrës trupore
Leptina është një hormon i prodhuar nga qelizat dhjamore të trupit dhe është zbuluar në mesin e viteve ’90, fillimisht me shpresën se do të shërbente si “ilaç kundër obezitetit”. E njohur edhe si “hormoni i ngopjes”, ajo ka funksionin e kundërt të grelinës.
Pas prodhimit të saj, leptina qarkullon në gjak dhe shkon në tru, konkretisht në qendrën që rregullon oreksin, për të dhënë sinjalin se trupi ka rezerva të mjaftueshme energjie. Në këtë mënyrë, ajo frenon urinë dhe ndihmon në rritjen e harxhimeve energjetike, për shembull përmes aktivitetit fizik. Kur qelizat dhjamore janë bosh, leptina ulet dhe truri “na shtyn” të hamë më shumë. Kur janë plot, leptina rritet dhe na ndalon së ngrëni.
Çfarë ndodh kur sistemi me leptinën dështon?
Disa persona me obezitet zhvillojnë një gjendje të quajtur rezistencë ndaj leptinës. Në këtë rast, edhe pse kanë nivele shumë të larta të leptinës në gjak, truri nuk arrin ta “dëgjojë” këtë sinjal. Si rezultat, ata vazhdojnë të ndihen të uritur dhe të hanë më shumë seç kanë nevojë.
Kjo “prerje e komunikimit” mes trupit dhe trurit është një nga faktorët më të rëndësishëm që kontribuon në shtimin në peshë.
Megjithatë, kombinimi i ushqyerjes së shëndetshme dhe aktivitetit fizik mund të ndihmojë në rikthimin e ndjeshmërisë ndaj leptinës dhe në përmirësimin e përgjigjes së trupit ndaj kësaj hormone. Studimet tregojnë se ky kombinim është efektiv edhe për humbje peshe afatgjatë.
Si grelina, ashtu edhe leptina së bashku me hormone të tjera, kanë një rol vendimtar në rregullimin e oreksit dhe kontrollin e peshës trupore.
Kuptimi i mënyrës sesi funksionojnë këto hormone është një nga qëllimet kryesore të kërkimeve shkencore për zhvillimin e trajtimeve më efektive kundër obezitetit dhe çrregullimeve të tjera metabolike.
(Kosova Sot Online)