Këto pije të përditshme mund të 'prishin' efektin e ilaçeve

  • A.P /
  • 16 April 2026 - 08:35
Këto pije të përditshme mund të 'prishin' efektin e ilaçeve

Personat që përdorin medikamente për tensionin e lartë duhet të tregojnë kujdes jo vetëm me ushqimin, por edhe me pijet që konsumojnë çdo ditë, pasi disa prej tyre mund të ndikojnë drejtpërdrejt në efektin e trajtimit.

Ekspertët paralajmërojnë se ndër më problematiket është lëngu i grejpfrutit, i cili ndërhyn në një enzimë të rëndësishme të organizmit dhe mund të rrisë nivelin e ilaçeve në gjak, duke çuar në ulje të rrezikshme të tensionit.

 

Edhe lëngje të tjera frutash, si ai i mollës apo portokallit, mund të ndikojnë në përthithjen e medikamenteve.

Një tjetër faktor i rëndësishëm është alkooli, i cili mund të forcojë efektin e ilaçeve dhe të shkaktojë marramendje, dobësi apo edhe të fikët. Në të njëjtën kohë, ai mund të rrisë tensionin, duke e bërë trajtimin më pak efektiv.

Edhe pijet me kafeinë, si kafeja, kërkojnë kujdes të shtuar, sidomos për personat që përdorin beta-bllokues apo diuretikë. Ndërkohë, çaji i jamballit mund të rrisë ndjeshëm presionin e gjakut për shkak të përbërësve që ndikojnë në balancën e elektroliteve.

Po ashtu, çajrat bimorë dhe suplementet si Shën Gjoni apo xhensengu mund të ndërhyjnë në metabolizmin e ilaçeve, ndërsa lëngjet e perimeve me përmbajtje të lartë kripe mund të rrisin tensionin dhe të dobësojnë efektin e trajtimit.

Mjekët këshillojnë që çdo paqartësi të diskutohet me specialistin, për të shmangur rreziqet dhe për të siguruar një trajtim sa më të sigurt.

(Kosova Sot Online)