Messi tërhiqet nga kombëtarja

  • 28 June 2016 - 09:08
Messi tërhiqet nga  kombëtarja

"Mbaroi aventura ime me Argjentinën. Jam përpjekur shumë, më vjen shumë keq që nuk jam shpallur kampion me kombëtaren dhe që po iki pa e arritur këtë qëllim. Është e pabesueshme, nuk na ecën. Sërish me penallti. Kam humbur 4 finale, 3 radhazi. Nuk kemi çfarë të bëjmë. Përpiqemi, e kërkojmë fitoren, por nuk na ecën", ka theksuar Lionel Mess.

Argjentina ka humbur finalen e tretë radhazi, por më shumë sesa kaq ka humbur tashmë edhe Lionel Messi-n në moshën 29-vjeçare, i cili i dha "lamtumirën" kombëtares. "Seleccion"-i albicelest ka mbetur prej 23 vitesh pa një trofe, teksa këtë herë është mposhtur me penallti nga Kili në aktin e fundit të Kupës së Amerikës, në edicionin special të 100-vjetorit, me yllin e Barcelona-s që humbi 11-metërshin e tij. 

Sukseset me kombëtaren në nivele të ulëta "Vendimin e kam marrë tashmë. Kam bërë gjithçka mundesha për të fituar diçka me Argjentinën, por nuk ia dola dot mbanë. Eksperienca ime me Seleccionin merr fund këtu", ka deklaruar kapiteni i skuadrës pas ndeshjes, sigurisht i përlotur për gabimin që bëri nga penalltia, pas së cilës i mbajti lotët për t'i lëshuar ato vetëm pak momente më pas. E ndoshta një të drejtë e ka, pasi u bënë 5 turne madhorë në të cilët Messi nuk ka mundur të dalë kokëlartë: Botërori i 2010-s, Kupa e Amerikës së 2011-s, Botërori i 2014-s, Kupa e Amerikës së 2015- s dhe edicioni i këtij viti.

Edhe pse ylli argjentinas numëron 11 suksese me kombëtaren, ato janë arritur që të gjitha në nivele të ulëta apo aspak të përfillshme për reputacionin e një lojtari që pretendon të futet në historinë e futbollit botëror me 5 "Topat e Artë" të fituar: sukseset janë arritur gjatë Botërorit U-20 të vitit 2005 dhe medalja e artë në Olimpiket e U-23 në vitin 2008. Tifozët të irrituar me vendimin e "Pleshtit" Megjithatë, një veprim i tillë nga lojtari prej të cilit presin më shumë ka irrituar tifozët argjentinas. Në rrjetet sociale, këta të fundit ia shtojnë edhe më shumë dhimbjen Messi-t: "Nuk ka më asnjë dyshim për dallimin mes tij dhe Diego Armando Maradona-s. Maradona nuk do ta braktiste kurrë kombëtaren, ai mbetet ende lojtari më i madh që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për skuadrën, e që nuk ka për t'u përsëritur ndonjëherë në fushat e futbollit".

Messi sulmohet gjithashtu edhe për shkak se preferon të luajë më shumë me Barcelona-n. "Është mirë të luash me 'blaugranat', apo jo?!" pyesin me ironi tifozët e shokuar nga tërheqja e Leo-s. Ka edhe nga ata që nuk komentojnë hiç këtë largim, por mendojnë të flasin për trajnerin e ardhshëm të Argjentinës, e në këtë aspekt, pretendenti mbetet Diego Simeone. Argjentina ka humbur finalen e tretë të luajtur në këto 3 vitet e fundit. Ashtu si vitin e kaluar, është sërish Kili ai që e ka mundur me 11-metërsha kombëtaren bardhekaltër, ndërsa para dy vitesh humbi me Gjermaninë finalen e Botërorit. Barazim 0:0 në 120 minuta lojë, ndërsa nga pika e penalltisë gabuan Messi dhe Biglia, për rezultatin 4:2 final.

(Kosova Sot)