Batatina: Te Llapi ndryshime në ekipë dhe bankinë

  • 17 December 2018 - 08:48
Batatina: Te Llapi ndryshime në ekipë dhe bankinë

Tabori llapjan nuk është i kënaqur me rezultatet e vjeshtës

"Llapi në pranverë do të vazhdojë me punë dhe profesionalizëm, derisa do të ketë ndryshime edhe në bankinë, kjo për ta bërë një skuadër më një fytyrë më ndryshe nga ajo e vjeshtës", ka thënë drejtori sportiv i Llapit, Tahir Batatina, për gazetën "Kosova Sot"

Llapi në elitën e futbollit kosovar njihet si njëra nga skuadrat më të organizuara dhe nga ato që vazhdimisht investon. Megjithatë, përkundër këtyre gjërave rezultatet nuk janë të kënaqshme dhe kjo po i shtynë drejtuesit e skuadrës të bëjnë ndryshime, sidomos në shtabin teknik në kërkim të një formule të saktë. Këtë edicion në bankinë e Llapit startoi trajneri i mirënjohur Bylbyl Sokoli, i cili u shkarkua në gjysmë të kampionatit për mungesë rezultatesh. Ai u zëvendësuar me trajnerin vushtrrias Bekim Shotanin, i cili kishte një marrëveshje me drejtuesit skuadrës deri në mbyllje të stinorit vjeshtor dhe sipas të gjitha gjasave nuk do të jetë pjesë e skuadrës edhe në pranverë. Këtë se paku e ka paralajmëruar drejtori sportiv i Llapit, Tahir Batatina, i cili në një analizë bërë Llapit për stinorin vjeshtor ka thënë se do të ketë ndryshime edhe në bankinë e Llapit. Në taborin llapjan të gjithë janë të bindur se skuadra ka mundur të bëjë diç më shumë, derisa eliminimi nga Kupa ku u mposhtën nga Trepça'89, nuk është kapërdirë lehtë, edhe pse drejtori thotë se fokusi i tyre nuk ka qenë Kupa por titulli i kampionit.

Nuk u përmbushën pritshmëritë Llapi në këtë edicion kishte hyrë me synime të mëdha, titulli e kampionit dhe Kupën e Kosovës. Nga kjo e fundit u eliminua në 1/8 e finale duke mos e arritur as çerekfinalen, ndërsa edhe në luftë për titull kanë mbetur paksa mbrapa, edhe pse duhet pranuar që janë ende në garë për këtë trofe. "Mendoj se nuk i kemi mbushur pritshmëritë duke e parë organizimin e klubit dhe përforcimet që kemi bërë, por dhe lojtarët cilësorë që kemi në skuadër. Gjithsesi, kemi filluar të rikthehemi gradualisht dhe tash jemi afër me dy skuadrat e para në tabelë", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" Batatina, i cili e pranon se eliminimi nga Kupa ka qenë bukur i dhimbshëm."Eliminimi nga garat e Kupës ishte shumë i dhimbshëm, por ne nuk e kemi pasur fokusin kryesor te Kupa. Ne nga fillimi jemi fokusuar në kampionat", ka vlerësuar ish- trajneri i Llapit, i cili aktualisht e kryen punën e drejtorit sportiv te kjo skuadër. Nuk dorëzohen Pavarësisht se skuadra llapjane në pranverë do t'i ketë dy pengesa shumë të mëdha në luftë për titull, Prishtinën e Feronikelin, të cilat janë 5 përkatësisht 4 pikë më lart se Llapi, kjo skuadër assesi nuk dorëzohet dhe beson në titullin e kampionit.

"Llapi në pranverë do të vazhdojë me punë dhe profesionalizëm që të jemi një skuadër solide dhe të jemi afër me dy skuadrat e para në tabelë, duke vazhduar të qetë dhe duke treguar ndeshje të mira dhe cilësore", ka thënë Batatina për gazetën "Kosova Sot", i cili në pyetjet nëse mund të ketë ndryshime në shtabin teknik ashtu siç pati gjatë verës, ai nuk e ka përjashtuar këtë mundësi. "Besoj ndryshime në bankinë do të ketë, kjo për të qenë një skuadër me një fytyrë më ndryshe në pranverë", ka përfunduar Tahir Batatina

(Kosova Sot)