Mourinho u shkarkua nga Man Unitedi, por çfarë shkoi keq për portugezin?

  • 18 December 2018 - 15:44
Mourinho u shkarkua nga Man Unitedi, por çfarë shkoi keq për portugezin?

Jose Mourinho u shkarkua nga pozita e trajnerit të Manchester Unitedit pas disfatës kundër Liverpoolit, me rezultat 3-1, mirëpo çfarë shkoi gabim gjatë periudhës që kaloi me “Djajtë e kuq”?
Disfata në Anfield bëri që Manchester Unitedi të mbetej 19 pikë prapa liderit në tabelën e Premierligës, Liverpoolit, duke e thyer rekordin për më së paku pikë të fituara nga 17 xhirot e para që nga viti 1990.

Problemi me Pogbën

Prishja e marrëdhënieve mes Mourinhos dhe Paul Pogbës do të kujtohet si simbol për periudhën që ai portugezi e drejtoi Manchester Unitedin. Mourinho kishte thënë se francezi mund të jetë zemra e këtij klubit për dekadën e ardhshme, kur ai u kthye në Old Trafford në vitin 2016. Por, nuk kaloi shumë kohë dhe marrëdhëniet e tyre filluan të prishën. Sapo ndodhi incidenti i parë, problemet mes tyre nuk kishin të ndalur.

Problemet kishin filluar sezonin e kaluar, kur Pogba nuk u zgjodh në formacionin e parë për ndeshjen kundër Tottenhamit, të cilët e humbën me rezultat 2-0, në fund të janarit. Mourinho i mohoi spekulimet se kishte tension mes atyre të dyve, por Pogba thuhet se ishte tronditur nga ky vendim dhe ai mbeti në bankë edhe për ndeshjen kundër Sevillën në Ligën e Kampionëve, kur u eliminuan nga spanjollët.

Situata u përkeqësua edhe më shumë  kur Pep Guardiola bëri të ditur se në prill agjenti i Pogbës, Mino Raiola, ia kishte ofruar francezin atij gjatë afatit kalimtar të kaluar. Pogba u kthye nga turneu i Kupës së Botës me Francës, mirëpo paraqitjet e tij në Rusi u harruan shpejt pasi që filluan përsëri zënkat me Mourinhon.

Pogbës iu ndalua ta mbante shiritin e kapitenit nga Mourinho në shtator, pasi ai i kisthe kritikuar taktikat e përdorura nga Mourinho në ndeshjet në Old Trafford. Më vonë, përveç shiritit të kapitenit, Pogba e humbi edhe vendin e tij në formacionin e parë, duke startuar në vetëm tri nga tetë ndeshjet e fundit. Për më tepër, ai nuk luajti fare në ndeshjen kundër Liverpoolit.

Zënkat mes Mourinhos dhe Pogbës ishin kontribuuesit më të mëdhenj në atmosferën e keqe që mbizotëronte në klub, pasi që gjithashtu dëshmonte se Mourinho nuk dinte si ta shfrytëzonte aftësinë e lojtarit më të shtrenjtë të tij. Pogba kishte shkëlqyer në Juventus, mirëpo paraqitjet e tij në Manchester United sugjerojnë se ai nuk përshtatej me stilin e Mourinhos.

Menaxhimi i lojtarëve

Pogba nuk ishte i vetmi lojtar që kishte probleme me Mourinhon, pasi me këtë të fundit nuk kishin marrëdhënie të mira as disa yje të tjera të skuadrës, si Anthony Martial e Luke Shaw. Së fundi, filluan problemet edhe mes tij dhe Alexis Sanchezit. Fakti që Mourinho nuk arrinte t’i menaxhonte lojtarët e tij kishte bërë që ai të mos ishin mjaftueshëm të motivuar për ndeshjet.

Stili i lojës

Stili i lojës së Manchester Unitedit gjatë tri sezoneve me Mourinhos ishte një nga gjërat për të cilat portugezi ishte kritikuar më së shpeshti, pasi që rivalët e ‘Djajve të kuq”, si Liverpooli dhe Manchester City, filluan të luajnë futboll të bukur dhe sulmonin vazhdimisht.

Stili i Mourinhos nuk përshtatej me lojtarët të cilët i kishte në skuadër, pasi që portugezi njihet për mbrojtjen e tij të fortë, por futbollistët që ai i kishte në dispozicion në mbrojtje nuk ishin mjaftueshëm të mirë për t’ia falur skuadrës mungesën në fazën e sulmit.

Vështirësitë me transferime

Manchester Unitedi shpenzoi rreth 430 milionë euro gjatë kohës kur trajner i skuadrës ishte Jose Mourinho, megjithatë ai vazhdimisht ankohej në konferenca për shtyp se nuk ishte lejuar t’i transferonte lojtarët që i kishte kërkuar.

Gjatë kësaj vere, ai e kishte kërkuar transferimin e një qendërmbrojtësi, mirëpo kjo dëshirë nuk i ishte plotësuar atij. 

(Kosova Sot)