Beckham, i emocionuar pas takimit me Mbappen: E mbajta medaljen e tij të Botërorit!

  • 18 January 2019 - 13:35
Beckham, i emocionuar pas takimit me Mbappen: E mbajta medaljen e tij të Botërorit!

Ish-mesfushori i Manchester Unitedit, Real Madridit dhe Paris Saint-Germainit, David Beckham, mbeti shumë i kënaqur nga takimi i tij me yllin francez, Kylian Mbappen, veçanërisht pasi e pati mundësinë që ta mbajë në duar medaljen e artë të Kupës së Botës, që 20-vjeçari e fitoi verën e kaluar.

Beckhami u takua për të ngrënë mëngjes me Mbappen të premten dhe e pati mundësinë që ta shohë nga afër një nga çmimet e pakta që nuk kishte arritur t’i fitojë gjatë karrierës së tij, medaljen e artë të Kupës së Botës.

Ish-kapiteni i Anglisë e kishte shijuar shpeshherë ndjenjën e të shpallurit kampion gjatë karrierës së tij në Angli, Spanjë, SHBA dhe Francë me Manchester Unitedin, Real Madridin, LA Galaxyn dhe PSG-në.

Megjithatë, ai nuk kishte arritur të shpallet kampion i Kupës së Botës me Kombëtaren e Anglisë, përkundër që skuadra e “Tre Luanëve”, gjatë kohës së tij, cilësohej si “Gjenerata e Artë”. Megjithatë, ai e mbajti në duar medaljen e artë të këtij trofeu gjatë takimin me Mbappen, i cili gjatë verës u shpall kampion bote me Francën.

“Çfarë kënaqësie ta takosh një fitues të Kupës së Botës, një lojtar të mrekullueshëm dhe, mbi të gjitha, një person të mrekullueshëm. Gjithmonë e shijoj kthimin në Paris, që është njëra ndër vendet e preferuara të mia në botë”, ka shkruar Beckham.

“Ky vend u bë edhe më i mirë këtë mëngjes. Unë e pata mundësinë ta mbaj në duar medaljen e Kupës së Botës. Fëmijët e mi me siguri janë xhelozë, më vjen keq djelmosha”. 

(Kosova Sot)