Allegri e komenton paraqitjen e Ronaldos

  • 21 February 2019 - 09:38
Allegri e komenton paraqitjen e Ronaldos

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, i ka dal në mbrojtje yllit të skuadrës së tij, Cristiano Ronaldos, pas paraqitjes së këtij të fundit në disfatën e mbrëmshme, kundër Atletico Madridit.

Mbrëmë, në Wanda Metropolitano, Juventusi u mposht me rezultat 2:0 nga Atletico Madridi. Këtë ndeshje, të vlefshme për 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve, spanjollët e fituan përmes golave të shënuar nga Jose Gimenez dhe Diego Godin.

Ronaldo e pati vetëm një goditje drejt portës, nga gjithsej tri goditje të të gjithë skuadrës së Juventusit. Për më tepër, goli i shënuar nga Godini, në minutën e 83-të të ndeshjes, u devijua nga portugezi.

Mirëpo, Allegri e ka mbrojtur para gazetarëve 32-vjeçarin dhe paraqitjen e tij të mbrëmshme, duke shtuar se ata do të përfitonin nga kjo sfidë për ndeshjen kthyese, e cila do të zhvillohet më 12 mars.

“Ronaldo luajti mirë. Ai ka vetëbesim në ndeshje të tilla. Ai nuk ishte aspak i keq. Ne munguam të gjithë në pjesën e dytë të ndeshjes. Do ta përdorim këtë ndeshje për t’u përgatitur për ndeshjen kthyese”, ka thënë Allegri.

Përkundër paraqitjet së tij, Ronaldo ishte tallur me tifozët e Atletico Madridit. Përderisa po kalonte afër gazetarëve, duke dalë jashtë stadiumit, ai kishte thënë: “Unë i kam pesë tituj të Ligës së Kampionëve, Atletico e ka një”.

(Kosova Sot)