Kampioni rrezikon "PLAY-OFF"-in

  • 27 March 2019 - 09:43
Kampioni rrezikon

Prizrenasit dështuan në të gjitha garat në këtë edicion  

Pasi nuk arritën sukses në Kupën e Kosovës dhe Ligën Ballkanike, Bashkimi po rrezikon të mbetet jashtë "Play-off"-it. Portokallinjtë edicionin e kaluar u shpallën kampionë, por në këtë edicion po përballen me shumë probleme dhe kjo ka ndikuar në paraqitjen dhe rezultatet e tyre 

P as ndeshjeve të fundjavës, në mesjavë do të luhet xhiroja e 24-të e Superligës së Kosovës në basketboll dhe do t'i sjellë dy derbi. Ponte Prizreni - Bashkimi është dueli me të cilin nis xhiroja e 24-t në Superligën e Kosovës në basketboll, i cili do të zhvillohet të mërkurën nga ora 19:00 në palestrën "Sezai Surroi" në Prizren. Të enjten do të zhvillohet një tjetër ndeshje interesante, në mes Rahovecit dhe Golden Eagle Yllit nga ora 19:00 në palestrën "Mizahir Isma", kurse Z Mobile Prishtina është nikoqir i AFK Borea-s, takim ky që luhet të mërkurën nga ora 19:00. Ndeshja e fundit e xhiros luhet në Mitrovicë, ku Trepça e pret Lipjanin. Pas 23 xhirove të luajtura në elitën e basketbollit kosovar, Prishtina kryeson në renditje me 46 pikë, e ndjekur nga Golden Eagle Ylli, Rahoveci dhe Ponte Prizreni. Problemet financiare Derbi prizrenas mes Bashkimit e Prizrenit është shumë interesant për faktin se mund të vendosë se kush do të hyjë në "Play-off". Kampioni Bashkimi rrezikon të mos hyjë në katërshen e parë, derisa ka pasur një edicion jo të suksesshëm në të gjitha garat ku ka marrë pjesë në këtë edicion. Trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi, është shprehur se aspekti financiar ka ndikuar shumë te 'Portokallinjtë'.

"E kam thënë edhe më parë se Bashkimi në këtë kampionat po ballafaqohet me shumë probleme, sidomos në aspektin financiar dhe pasojat janë evidente. Kjo është një nga faktorët kryesorë pse Bashkimi nuk po ka stabilitet po rrezikon të mbesë jashtë garave përfundimtare apo garave të "Play-off"-it", është shprehur Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Derisa edicionin e kaluar ishin mjaft të suksesshëm, si në Kupë, Ligën Ballkanike dhe në Superligë, në këtë edicion deri më tani kanë dështuar. Nuk arritën sukses në Kupën e Kosovës në basketboll, dështuan në Ligën Ballkanike, derisa në elitë ndodhen në vendin e pestë me 34 pikë, një më pak se rivali lokal, Ponte Prizreni, që nëse shënon fitore edhe të mërkurën, dukshëm do të jetë në epërsi për të hyrë në "Playoff", derisa në edicionin e kaluar luajtën në Ligën e Parë të Kosovës në basketboll. "Sot për nesër" Bashkimi nuk kishte ndërrime vetëm në lojtarë e shtabin teknik, por edhe në kryesi. Prizrenasit gjithashtu u ballafaquan me dënime nga FIBA, për shkak të mos pagesës ndaj lojtarëve të huaj, duke u dënuar deri në 70 mijë euro.

Por, Portokallinjtë nuk janë skuadra e vetme që ballafaqohet me këto probleme. Krasniqi shton se klubet punojnë 'sot për nesër'. "Jo vetëm Bashkimi, por si duket të gjitha klubet kanë problemin e strategjisë se 'Çka ka pas këtij stinori'. Duhet të ekzistojnë projekte më serioze dhe të kenë një qëndrueshmëri e jo vetëm për momentin. Duhet të mendojmë për një strategji afatgjate dhe jo vetëm për një stinor. Klubet nuk duhet të bëjnë shpenzime që nuk mund t'i përballojnë. Kjo u kushton shumë klube në vitet pasardhëse", është shprehur Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Përveç Bashkimit, edhe skuadrat e tjera janë ballafaquar me probleme.

Njëra ndër to është edhe Trepça, nga skuadrat më me traditë në Kosovë, madje ka pak gjasa për "Play-off", pasi ka tre pikë më pak se vendi i katërt, derisa deri në fund të kampionatit do të zhvillohen edhe gjashtë xhiro. Për shkak të probleme financiare, Peja nuk u lejua të garojë, duke qenë një humbje e madhe për basketbollin, pasi rënia e këtyre skuadrave, ka ndikuar në shikueshmëri, rivalitet dhe cilësi.  

(Kosova Sot)