Palestrat e stërngarkuara

  • 28 March 2019 - 10:01
Palestrat e stërngarkuara

Në shumë palestra mungojnë edhe kushtet elementare

Palestrat në Kosovë përveç që nuk i plotësojnë kushtet për ndeshje, ato edhe janë shumë të ngarkuara. Shumë klube të basketbollit, hendbollit, volejbollit e sporteve tjera stërvitin dhe i luajnë ndeshjet në palestër. Shpesh herë ka probleme për t’i zhvilluar stërvitjet normalisht dhe kjo u pengon në funksionalizimin normal të klubit

Shumica e palestrave në Kosovë nuk i plotësojnë kushtet për gara, sidomos gjatë periudhës së dimrit, kur bien temperaturat. Por, përveç që nuk i plotësojnë kushtet ato janë shumë të ngarkuara. Shumë klube i zhvillojnë aktivitetet në palestra dhe kjo sjell telashe, sepse ka shumë klube sportive në vend. Kjo bën që palestrat të jenë të stërngarkuara dhe klubet shpesh herë nuk kanë termin për t’i zhvilluar stërvitjet. Kjo sigurisht se ju sjell telashe klubeve, madje shpesh herë edhe para derbive nuk kanë ku të stërviten. Shumica e palestrave kanë nevojë për t’u rinovuar.

Ngrohja, parketi dhe ndriçimi

kanë shumë mangësi dhe kanë nevojë urgjente për t’u rinovuar. Ish-hendbollisti i njohur, Alban Dobroshi, thotë se jo vetëm ngrohja, por palestrat kanë nevojë për rinovime. “Në radhë të parë shumica e palestrave që janë në Kosovë nuk i përmbushin kushtet për të zhvilluar një ndeshje kampionale e lërë më ndërkombëtare. Mungon ngrohja, parketi nuk është gjendje të mirë, ndriçimi nuk është i mirë, derisa nëpër banjo mungon uji i ngrohtë e shumë e shumë mangësi.

E sa i përket gjeneratave të reja, të them të drejtën unë vet punoj me gjenerata të reja dhe fëmijët nuk kanë kushte adekuate nëpër shkolla që t’i mbajnë ushtrimet e mos të flasim nëpër palestrat sportive, ku kanë edhe më shumë vështirësi”, është shprehur Alban Dobroshi për gazetën “Kosova Sot”.

Pa dyshim se palestrat më të ngarkuara janë në Prishtinë, derisa vetëm dy palestra janë në shërbim të klubeve: Pallati i Rinisë dhe Sportit në Prishtinë dhe ‘1 Tetori’. Shumë klube sportive janë në kryeqytet dhe kjo ka bërë që palestrat të jenë shumë të ngarkuara. Klubet e basketbollit, hendbollit, volejbollit dhe sporteve tjera i zhvillojnë aktivitetet e tyre, dhe kjo bën që shpesh herë të mos ketë termine të lira, pasi aty zhvillohen ndeshjet dhe stërvitjet.

Më shumë punë me gjenerata të reja

Dobroshi thotë se palestrat shumë të ngarkuara për shkak ka shumë klube dhe pak palestra, derisa duhet të punohet më shumë me gjenerata të reja. “Arsyeja është e thjesht, sepse palestrat janë të stërngakuara sepse aty luajnë dhe stërviten të gjitha klubet e basketbollit, hendbollit, volejbollit, sportet tjera, por edhe shfrytëzohet për rekreacion. Duhet të vetëdijesohemi njëherë e përgjithmonë sepse kemi një gjeneratë të shëndosh dhe t’i ruajmë talentet që i kemi dhe t’i ofrojmë atyre kushte optimale.

Duhet t’i përvishemi punës në mënyrë profesionale dhe të investohet më shumë nëpër gjenerata të reja. Nëse investojmë në gjenerata të reja, atëherë, e ardhmja është në duar të sigurta, sepse kemi shumë talente, por që duhet kushte më të mira dhe të punojmë më shumë”, është shprehur tutje Alban Dorboshi për gazetën “Kosova Sot”. Por, një tjetër problem është se palestrat po vonojnë të rinovohen ose të ndërtohen, madje, disa edhe me dekada. Kjo ka ndodhur në disa palestra, që janë ende në ‘ndërtim e sipër’.

(Kosova Sot)