Presidenti i Lyonit: S’kemi para për ta emëruar Mourinhon trajner

  • 04 April 2019 - 14:00
Presidenti i Lyonit: S’kemi para për ta emëruar Mourinhon trajner

Portugezi e ka pranuar se mund ta pranojë ndonjë ofertë për t’u bërë trajner në klube franceze, mirëpo njëri klub, Lyoni, e ka përjashtuar veten nga gara për trajnerin.

Jose Mourinho la të kuptohet se mund ta marrë pozitën e trajnerit në ndonjë klub të Ligue 1, mirëpo presidenti i Lyonit, Jean Michel Aulas, pretendon se skuadra e tij nuk ka mundësi ta përballojë financiarisht emërimin e portugezit.

Portugezi ka mbetur pa punë që kur u shkarkua nga pozita e trajnerit të Manchester Unitedit më 18 dhjetor të vitit të kaluar. Ai ka qenë protagonist i shumë spekulimeve për të ardhmen e tij. Njëra prej këtyre spekulimeve ishte që Mourinho do ta vazhdojë karrierën në Francë.

“Mund ta imagjinoj veten në Ligue A. Jam njeri që kam punuar në katër vende të ndryshme. Më pëlqen t’i njohë kulturat e tjera. Puna në një kampionat tjetër do të ishte një përvojë fantastike”, është shprehur Mourinho.

Gazeta prestigjioze franceze, L’Equipe, pretendonte se Mourinho do të emërohej trajner i Lyonit ose Monacos, mirëpo Lyoni ishte favorit. Tani, presidenti i këtij klubi, Jean Michael Aulas, e ka mohuar këtë mundësi.

“Vazhdimisht flitet për trajnerë që duan të vijnë në Lyon. Jam i gëzuar për këtë gjë. Kam dëgjuar për një trajner francez, i cili ishte trajner i PSG-së. Kam dëgjuar për një trajner portugez, që ishte trajner i Manchester Unitedit”, u shpreh Aulas.

“Unë e kam takuar Mourinhon verën e kaluar, në Moskë. Biseduam pak, por jo për mundësinë e emërimit në pozitën e trajnerëve, por për transferime. Mourinho nuk përshtatet me realitetin tonë ekonomik”. 

(Kosova Sot)