Urgjentisht të zbatohet Ligji për Sponsorizime

  • 05 April 2019 - 09:40
Urgjentisht të zbatohet Ligji për Sponsorizime

 Klubet janë të varura nga donatorët

Nt/ Ligji për Sponsorizime shihej si shpëtim për sportin e Kosovës. ‘Faji’ i një neni, ky ligj nuk po zbatohet dhe ka mbetur vetëm në letër, për më shumë se një vit. Kërkohet urgjentisht që ky ligj të zbatohet, sepse klubet janë të varura nga donatorët dhe janë në gjendje shumë të rëndë financiare. Sipas këtij ligji, kush investon në sport, do të lirohej nga tatimi për 30 %

Ligji për Sponsorizime ka mbetur vetëm në letër. Ky ligj ishte miratuar në janar të vitit të kaluar. Ky ligj ishte shembull edhe në rajon, pasi kush investon në sport do të lirohej 30 % nga tatimi. Megjithatë, me ose pa qëllim, ky ligj nuk po zbatohet dhe kjo ka bërë që klubet dhe sportistët t’i vuajnë pasojat. Për këtë probleme janë angazhuar edhe institucionet. Kjo temë është përmendur edhe në takimin që kishin mes presidentit të Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani dhe ministrit të Sportit, Kujtim Gashi. Presidenti Hasani dhe ministri Gashi, i bënë thirrje së bashku Administratës Tatimore të Kosovës, që ta zbatojnë Ligjin për Sponsorizime, si dhe gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që Ligjin për të Ardhurat në Korporata ta harmonizojnë me Ligjin për Sponsorizime, në mënyrë që t’i krijojnë hapësirë më të madhe investimeve të biznesit në sport. Të dy palët u dakorduan që të harmonizohet Ligji për Sport, bazuar në zhvillimet që po ndodhin në Lëvizjen Olimpike Botërore dhe sportin në përgjithësi.

 Ligj, shumë i rëndësishëm

Hasani është shprehur se ky ligj është shumë i rëndësishëm. “Përtej memorandumit ne diskutuam edhe për çështje tjera që preokupojnë jo vetëm Komitetin Olimpik, por edhe Lëvizjen Olimpike, pra federatat, klubet dhe sportistët, kjo ndërlidhet pra me Ligjin për Sponsorizime dhe ne presim nga deputetët që ta bëjnë nënshkrimin e Ligjit për Sponsorizime”, është shprehur Hasani. “Jemi dakorduar që ta shtyjmë përpara edhe ligjin e ri për sport. Ne kemi një ligj aktual i cili nuk përkon me kërkesat dhe nevojat e kohës, pra ka zhvillime të hovshme të sport, kështu që duhet ta kemi një ligj i cili edhe më tutje e favorizon sportin në Kosovë, dhe po ashtu jemi duke punuar me interes të madh në strategjinë e sportit”, është shprehur ministri Gashi. Ministri zbuloi edhe lajmin e mirë për çështjen shumë të përfolur të ndërtimit të Qendrës Nacionale të Xhudos, duke theksuar se bashkërisht me Federatën e Xhudos së Kosovës janë duke shikuar mundësinë e një tjetër alternative të gjetjes së lokacionit për ndërtimin e kësaj qendre, pasi sipas tij, pritjeve të shumta të organeve komunale të Pejës u ka ardhur fundi.

 Po e mban peng sportin kosovar

Trajneri shumëvjeçar i volejbollit, Naser Krasniqi, ka thënë se ky ligj po i mban peng klubet në Kosovë. “Klubet janë në gjendje të rëndë. Kjo nuk është për shkak të tyre apo menaxhimit. Megjithatë, e kanë shumë vështirë të gjejnë sponsorë, sepse nuk ka shumë përfitime. Ligji i miratuar para disa viteve nuk po gjen akoma implementimin duke e mbajtur peng sportin kosovar. Moskoordinimi mes ATK-së dhe Ministrisë së Financave edhe më shumë po e zvarrit këtë çështje. Mos implementimi i këtij ligji bën që edhe bizneset dhe donatorët të mos investojnë në sport. Të gjitha kompanitë e biznesit që e ndihmojnë sot sportin e Kosovës e bëjnë këtë nga vullneti i mirë dhe dëshira e tyre personale ose edhe nga dashuria e madhe për sportin e Kosovës. Urgjentisht duhet të zbatohet ky ligj, që do të jetë i rëndësishëm për zhvillimin e sportit kosovar”, është shprehur Naser Krasniqi për gazetën “Kosova Sot”.

Ky ligj ishte shembull edhe në rajon, pasi kush investon në sport do të lirohej 30 % nga tatimi. Megjithatë, me ose pa qëllim, ky ligj nuk po zbatohet dhe kjo ka bërë që klubet dhe sportistët t’i vuajnë pasojat

Ministri Gashi zbuloi edhe lajmin e mirë për çështjen shumë të përfolur të ndërtimit të Qendrës Nacionale të Xhudos, duke theksuar se bashkërisht me Federatën e Xhudos janë duke shikuar mundësinë e një tjetër alternative të gjetjes së lokacionit për ndërtimin e kësaj qendre

(Kosova Sot)