Tifozët e Ajaxit nuk i lënë lojtarët e Juventusit të flenë, hedhin fishekzjarrë natën

  • 10 April 2019 - 12:34
Tifozët e Ajaxit nuk i lënë lojtarët e Juventusit të flenë, hedhin fishekzjarrë natën

Ajaxi do ta presë sonte Juventusin në shtëpi, për ndeshjen e parë në kuadër të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve. Favorit për ta fituar këtë ndeshje konsiderohet klubi italian

Megjithatë, kjo gjë mund të ndryshojë pasi që djelmoshat e Massimiliano Allegrit e patën të pamundur të pushojnë natën dhe tani mund të jenë më të lodhur për ndeshjen që zhvillohet sonte në Johan Cruyff Arena.

Tifozët e Ajaxit nuk i kishin lënë lojtarët e Juventusit të flenë gjatë natës, pasi që kishin qëndruar para hotelit ku ishin akomoduar italianët dhe kishin hedhur fishekzjarrë deri në orën 4:00 të mëngjesit.

Skuadra e Juventusit do të tentojë që, përkundër këtij shqetësimi, të sigurojë fitore në këtë ndeshje dhe kalojë me një këmbë në gjysmëfinalet e këtij sezoni.

Cristiano Ronaldo dëshiron të vazhdojë me tituj të Ligës së Kampionëve, pasi e ka fituar medaljen e artë të kësaj gare tri vjetët e fundit radhazi. Ai deri më tani e ka ngritur lart këtë trofe pesë herë dhe dëshiron të bëjë këtë edhe për të gjashtën herë.

Tifozët e Ajaxit ishin sjellë në mënyrë të ngjashme edhe në fazën paraprake të Ligës së Kampionëve, kur kishin hedhur fishekzjarrë edhe para hotelit ku qëndronin lojtarët e Real Madridit.

(Kosova Sot)