Askund në Evropë si në Kosovë

  • 15 April 2019 - 12:00
Askund në Evropë si në Kosovë

Në të gjitha shtetet evropiane garat kampionale po shkojnë drejt përfundimit. Por, në IPKO Superligën e Kosovës po zhvillohet një garë tejet interesante që po prodhon “ethe” që u mungojnë shumë kampionateve tjera evropiane.

Në një kohë kur garat kampionale të futbollit kanë hyrë në fazën përfundimtare në të gjitha shtetet e Evropës, Kosova po karakterizohet me një garë tejet të fortë.

IPKO Superliga mund të konsiderohet ndër kampionatet më interesante në kontinentin e vjetër, ndonëse për nga cilësia dhe infrastruktura padyshim se lë shumë për të dëshiruar.

Kur kanë mbetur edhe gjashtë xhiro deri në fund të kampionatit, në elitën e futbollit kosovar po zhvillohet luftë në katër anët

Feronikeli, Prishtina dhe Llapi po bëjnë luftë të hatashme për titull. Ekipi bardh e gjelbër është i pari në renditje me 62 pikë, sa kanë edhe bardhekaltrit nga kryeqyteti që janë në vendin e dytë. Kurse, llapjanët e mbajnë pozitën e tretë me vetëm dy pikë më pak.

Garë të tillë nuk ka askund në shtetet e regjionit, ku kampionët e shteteve fqinj janë mësuar herët.

Në Shqipëri, pas 26 xhirove, Partizani kryeson me 60 pikë, 12 më shumë sesa ndjekësi i parë, Kukësi

Situatë e njëjtë është edhe në kampionatin maqedonas, ku Shkëndija kryeson me 63 pikë pas 28 xhirosh. Klubi shqiptar ka krijuar avantazh të paarritshme prej 12 pikësh karshi rivalit maqedonas, Vardarit.

Në Mal të Zi lufta për titull mbetet e hapur, raporton Gazeta Express. Por dallon shumë prej Kosovës. Atje përpos që janë veç dy ekipe në garë, edhe dallimi në pikë është më i madh. Sutjeska kryeson me 60 pikë, pesë më shumë sesa Buduçnosti.

Ndërkohë, në Serbi kampioni dihet. Crvena Zvezdës do t’i dorëzohet trofeu sepse pas 31 xhirosh e ka krijuar një epërsi prej shtatë pikësh prej Radnickit të Nishit. 

Garë për titull si në Kosovë mungon edhe në kampionate të niveleve mesatare evropiane. Për shembull në Francë kampioni dihet moti. Paris SG i ka 81 pikë, 17 më shumë sesa Lille.

Në Turqi, pas 27 javësh Basaksehir kryeson me 61 pikë, pesë më shumë sesa Galatasaray dhe tetë më tepër sesa Besiktas.

Në Holandë janë veç dy ekipe në luftë për titull. Ajaxi dhe PSV që kanë nga 74 pikë. Por, atje nuk ka kandidat të tretë.

Ethet e garës së titullit, çfarë ka Kosova, nuk kanë as disa nga kampionatet më të mëdha evropiane.

Në La Liga të Spanjës Barcelona e ka mbyllur moti këtë qështje, sikurse që ka bërë Juventusi në Serie A të Italisë.

Kurse, në Bundesligë dhe Premierligë lufta mbetet e hapur, por me nga vetëm dy ekipe.

Në Gjermani Bayern Munich kryeson me 67 pikë, vetëm një më shumë sesa Borussia Dortmund. Por, në Bundesligë nuk ka kandidat të tretë.

Njëjtë edhe në Angli. Në Premierligë titulli po diskutohet vetëm në mes të Liverpoolit dhe Manchester Cityt. Ky i fundit është i dyti në renditje me 83 pikë. Por, City e ka një ndeshje më pak të zhvilluar sesa Liverpool, i cili kryeson me vetëm dy pikë më shumë.

Ndërkohë, në Kosovë po luftohet me të madhe edhe në dy beteja tjera. Disa ekipe po luftojnë për t’i ikur zonës që dërgon direkt një rang më poshtë, e po ashtu po luftohet shumë në mes disa ekipeve edhe për t’iu shmangur zonës së barazhit.

Krejt çka dihet në Kosovë është fakti se KEK-u përfundimisht do të bie nga IPKO Superliga dhe Drita do të mbijetojë pasi kampionia në fuqi e ka humbur hapin për titull dhe ka fituar pikë të mjaftueshme për t’iu shmangur luftës së barazhit dhe rënies.

Kurse, në shtet evropiane, ku mungon gara e fortë për titull, kryesisht po luftohet për kualifikim në gara evropiane dhe mbijetesë. 

(Kosova Sot)