Man Unitedi dhe Dortmundi, klubet me më së shumti tifozë në stadiume

  • 16 April 2019 - 16:03
Man Unitedi dhe Dortmundi, klubet me më së shumti tifozë në stadiume

Qendra Ndërkombëtare për Studime Sportive (CIES) i ka studiuar shifrat e tifozëve të pranishëm në stadiumet e klubeve të ligave më të mëdha të futbollit në botë, gjatë pesë sezoneve të fundit.

Sipas këtij studimi të fundit, Manchester Unitedi është klubi i dytë me më së shumti tifozë të pranishëm në stadium në botën e futbollit. “Djajtë e kuq” mposhten vetëm nga Borussia Dortmundi.

Observatori i Futbollit në CIES i ka analizuar shifrat e tifozëve nëpër stadiumet në 51 liga vendore në 42 shtete të ndryshme. Në këtë studim, ata kanë gjetur se Old Traffordi ka mesatarisht 75,218 tifozë të pranishëm për ndeshje, nga viti 2013 deri në vitin 2018. Ndërsa, Dortmundi e kryeson këtë listë me 80,230 tifozë të pranishëm mesatarisht për ndeshje gjatë këtyre pesë sezoneve të fundit.

Edhe disa klube të tjera nga Premierliga – Arsenali, Manchester City dhe Newcastle – dhe klube nga Premiershipi skocez – Celtic dhe Rangers – janë pjesë e listës prej top 20 klubeve me më së shumti tifozë në stadiume për ndeshje.

Ajo që bie më shumë në sy është që Sunderlandi, që për momentin është në pozitën e tretë në Ligën e Parë, nivelin e tretë të futbollit në Angli, ka mesatarisht 39.249 tifozë në stadium për ndeshje, më shumë se Juventusi e Roma.

Fituesit e Kupës së Ligës së SHBA-së, Major League Soccer, Atlanta United, është klubi më i famshëm joevropian. Ata radhiten në pozitën e dhjetë, përkundër që klubi është themeluar vetëm para pesë vjetëve.

Sa i përket ligave, Bundesliga e Gjermanisë e kryeson garën me mesatarisht 43,302 tifozë në stadiume gjatë periudhës 2013-2018. Ndërsa, Premierliga radhitet e dyta, me 36,675 tifozë, rritje prej 6 për qind në krahasim me pesë vjetët paraprake.

Edhe numri i tifozëve të pranishëm në stadium për ndeshjet e Championshipit, nivelin të dytë të futbollit në Angli, është rritur në 18,526. 

(Kosova Sot)