Manchester Unitedi e do Ronaldon, i bën ofertë Juventusit

  • 19 April 2019 - 08:29
Manchester Unitedi e do Ronaldon, i bën ofertë Juventusit

Manchester Unitedi duket se e ka seriozisht në tentimin për ta kthyer Cristiano Ronaldon në “Old Trafford”, veçanërisht pas eliminimit tronditës të Juventusit nga Liga e Kampionëve kundër Ajaxit.

Sipas gazetës së madhe spanjolle, Don Balon, drejtuesit e Manchester Unitedit tanimë kanë filluar kontaktet e para me agjentin e Cristiano Ronaldos, Jorge Mendesin, dhe janë të gatshëm t’ia ofrojnë Juventusit 130 milionë euro për superyllin portugez. 

Megjithatë, këto spekulime janë mohuar nga disa gazeta të tjera, të cilët pretendojnë se përderisa tifozët ende e duan Ronaldon, Manchester Unitedi e ka qëllim ta ndërtojë një ekip të ri me lojtarë të talentuar.

Në anën tjetër, në Torino kishin shumë shpresa se Juve do t’i jepte fund pritjes së gjatë për kurorën e tretë evropiane, pasi e bleu Cristiano Ronaldon për 117 milionë euro verën e kaluar, por bardhezinjtë u eliminuan nga gara nga Ajaxi , që triumfoi me rezultat të përgjithshëm 3:2.

Natyrisht, Ronaldo nuk është aspak i lumtur me eliminimin, veçanërisht duke ditur kontributin e tij personal në këtë kauzë: para dy golave të tij kundër Ajaxit, ai realizoi një het-trik për t’ia siguruar Juves një rikthim ekip kundër Atletico Madridit në 1/8 e finales.

Dje, Corriere dell Sera shkoi aq larg saqë sugjeroi se një Ronaldo i zemëruar mund t’i thotë lamtumirë Juventusit këtë verë. Edhe pse një gjë e tillë mund të duket goxha e pamundur, një gazetë tjetër e madhe italiane, La Repubblica, raportoi se duket se superylli portugez nuk do të qëndrojë në Allianz Stadium deri në fund të kontratës së tij, e cila zgjat deri më 2022.

“Nuk është e mundur që Ronaldo të qëndrojë deri në fund të marrëveshjes. Sezoni i ardhshëm mund të jetë i fundit për të në Itali”, shkroi gazeta italiane.

Vetëm rreth 24 orë pas këtyre raportimeve nga gazetat italiane, “Don Balon” raporton se Manchester Unitedi tashmë e do kthimin e portugezit në klub. “Djajtë e kuq” kishin qenë pas Ronaldos edhe verën e vitit 2013, mirëpo në fund kishin përfunduar duke e marrë Marouane Fellainin. 

Ronaldo ishte pjesë e skuadrës së Manchester Unitedit në fillim të karrierës së tij, gjatë viteve 2003-2009. Gjatë këtyre viteve, ai i bëri 186 paraqitje për ekipin e drejtuar nga Sir Alex Ferguson dhe i shënoi 84 gola.

Edhe pse ishte ende i ri, Ronaldo e filloi edhe karrierën në Manchester Unitedin me mjaft shumë suksese. Ai i fitoi tre tituj të Premierligës, një titull të Ligës së Kampionëve, një titull të Kupës së Botës për Klube, një titull të FA Cup, dy tituj të League Cup dhe një titull të Community Shield gjatë gjashtë sezoneve me klubin anglez.

(Kosova Sot)