Barça e mund Alavesin, e pret dështimin e Atleticos nesër për t’u shpallur kampione

  • 23 April 2019 - 23:36
Barça e mund Alavesin, e pret dështimin e Atleticos nesër për t’u shpallur kampione

Barcelona e ka bërë pothuajse hapin e fundit drejt mbrojtjes së titullit në La Liga, pasi e mundi 2:0 Deportivo Alavesin në Vitoria dhe e pret vetëm dështimin e Atletico Madridit të mërkurën për t’u konfirmuar kampion edhe zyrtarisht.

Dy gola të shpejtë nga Carles Alena dhe Luis Suarez ishin të mjaftueshme për triumfin e Barçës në stadiumin Mendizorrotza të martën, në një ndeshje që Ernesto Valverde e pushoi Lionel Messin bashkë me disa futbollistë tjetër të formacionit bazë.

Barça tani grumbullon 80 pikë, katër javë para fundit të kampionatit, dhe nëse Atletico Madridi humb nesër kundër Valencias, atëherë katalonasit do të shpallen kampion edhe matematikisht. Në rast se skuadra e Diego Simeones fiton apo barazon nesër, atëherë skuadrës së Valverdes i mjafton fitoja ndaj Levantes të shtunën për t’u konfirmuar kampione.

Një pjesë e parë e dominuar plotësisht nga Barca dhe me asnjë goditje në kornizën e portës së Marc-Andre ter Stegen, u mbyll pa gola.

Megjithatë, vizitorët e thyen akullin në minutën e 55-të, kur Sergi Roberto e shërbeu Alenan në zonë, i cili shënoi në këndin e poshtëm të djathtë të Pachecos.

Kur akrepat shënonin një orë lojë, Luis Suarez e dyfishoi epërsinë nga pika e bardhë, pasi VAR-i i dha penallti Barçës për prekje të topit me dorë në zonë nga Tomas Pina.

Messi luajti në 30 minutat e fundit të kësaj ndeshjeje por nuk arriti të shënojë.

Alaves, ndërkohë, mbetet në pozitën e tetë me 46 pikë, ende në parë për një vend në Evropë pasi Athletic Bilbao ka po aq pikë në pozitën e shtatë.

(Kosova Sot)