NBA: Clippers trondit Warriors, Rockets eliminon Jazz

  • 25 April 2019 - 15:19
NBA: Clippers trondit Warriors, Rockets eliminon Jazz

Fitore e pabesueshme e Los Angeles Clippers 121-129 në parketin e Golden State Warriors, me rezultatin e serisë që shkon 3-2 në favor të ekipit nga Oakland.

Skuadra e drejtuar nga Doc Rivers befason për herë të dytë në transfertë kampionët në fuqi të NBA, në një përballje që u vendos në minutat e fundit. Tashmë Clippers kanë avantazhin e fushës në sfidën e 6-të e do të kërkojnë me çdo kusht që ta zgjasin serinë deri në takimin final.

Protagonist i padiskutueshëm Lou Williams, me 33 pikë e 10 asiste. Trepikëshat e tij, 2 minuta e gjysmë para përfundimit u dhanë mundësi Clippers që të parakalonin Warriors, ndërsa 4 pikët pasuese të tij bënë që të krijohej një distancë sigurie në fund. Ndeshje shumë e mirë edhe për italianin Danilo Gallinari, që realizoi 26 pikë.

Çuditërisht, për Warriors nuk mjaftuan 45 pikët e një Kevin Durant fenomenal, ndërsa Steph Curry e Klay Thompson u ndalën respektivsht me 24 dhe 22 pikë.

Kualifikohet në gjysmëfinale të Konferencës së Perëndimit Houston Rockets (4-1), duke mposhtur 100-93 në përballjen e pestë të serisë Utah Jazz. Edhe në këtë takim skuadrat qëndruar për pjesën më të madhe të lojës kokë me kokë, me diferencën që u bë në minutën e fundit, teksa Rockets ishin më të qartë në manovrën sulmuese.

Rubio i Jazz gaboi në gjuajtjen për tre, që do t’i kishte dhënë avantazhin skuadrës së tij, kur kishin mbetur vetëm 60 sekonda lojë, ndërsa topat e humbur nga Mitchell e Gobert u shfrytëzuan nga vendasit për pikët e fitores.

James Harden e mbylli takimin me 26 pikë, 6 asiste dhe 6 “rebound”, ndërsa Clint Capela regjistroi “double-double”, 16 pikë e 10 rikuperime.

Rockets presin fituesin e çiftit Warriors-Clippers për serinë e gjysmëfinaleve të Perëndimit.

(Kosova Sot)