Kloppi: E dija që Man Unitedi do të humbasë ndaj Man Cityt

  • 25 April 2019 - 15:44
Kloppi: E dija që Man Unitedi do të humbasë ndaj Man Cityt

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, beson se titulli i Premierligës është ende në garë, përkundër që Manchester City mori një fitore të madhe në ndeshjen kundër Manchester Unitedit mbrëmë.

Fitorja ndaj Manchester Unitedit në Old Trafford bën që skuadra e Pep Guardiolës ta ketë kaluar sfidën më të madhe në garën drejt titullit të kampionit të Anglisë dhe tani renditet një pikë para Liverpoolit, me vetëm tri ndeshje deri në fund të sezonit

Megjithatë, Kloppi nuk kishte qenë aspak i stresuar gjatë kësaj ndeshjeje, përkundër rëndësisë së saj, dhe e kishte shikuar derbin në shtëpi me gruan dhe një shok të tij.

“Nuk ishte i stresuar. Gjithçka ndodhi pikërisht ashtu siç prisja të ndodhte. Manchester Unitedi luajti shumë mirë ne pjesën e parë, por në këtë moment ata nuk mund ta ndalin Cityn për 90 minuta”, ka thënë Klopp.

“Nëse asgjë e çuditshme nuk do të ndodhte, atëherë City do ta kishte fituar ndeshjen. Kështu që unë nuk jam i habitur e as i stresuar. E kam kuptuar këtë ndjenjë – jam plotësisht i qetë”.

“Për mua, gjithçka është mirë dhe vendimi nuk është marrë ende. Nuk është që nata e kaluar ishte ndeshja e fundit e sezonit. Ishte vetëm një tjetër ndeshje e Manchester Cityt, ata e merituan fitoren”.

Nëse Liverpooli e mposht Huddersfieldin, klubi në kreun e Premierligës do të ndryshohet për të 29-tën herë, shifër kjo rekord për një sezon në ligën e Anglisë.

Kloppi beson se niveli i përqendrimit në skuadrën e Manchester Cityt është maksimal , mirëpo ai beson se edhe skuadra e tij është po kaq e përqendruar që ta fitojë titullin e kampionit. 

(Kosova Sot)