Zbulohet plani i klubeve të mëdha për ndryshimin e formatit të Ligës së Kampionëve

  • 26 prill 2019 - 10:38
Zbulohet plani i klubeve të mëdha për ndryshimin e formatit të Ligës së Kampionëve

Klubet më të mëdha të Evropës do të diskutojnë për ndryshimet që mund t’i bëhen formatit të Ligës së Kampionëve. Këtu theksohet propozimi për aplikimin e sistemit për promovim dhe rënie të klubeve nga Liga e Kampionëve.

Kryetari i Shoqatës së Klubeve Evropiane (ECA), Andrea Agnelli, i shkroi 232 anëtarëve të shoqatës për t’i diskutuar ndryshimet që mund t’i bëhen Ligës së Kampionëve në vitin 2024.

Klubet e mëdha të Evropës, anëtare të ECA-së, do ta mbajnë këtë takim më 6 dhe 7 qershor të këtij viti.

Aktualisht, kualifikimi në Ligën e Kampionëve sigurohet përmes arritjes në pozitat e para në ligat vendore, për shembull klubet angleze duhet ta zënë një ndër katër pozitat e para në Premierligë për t’u kualifikuar.

Përmes sistemit të ri, ky sistem do të shkatërrohej dhe klubet e mëdha historikisht do ta kishin vendin më të siguruar. Liga e Kampionëve do të funksiononte si ligat vendore, që do të thotë se vetëm klubet më të këqija të sezonit aktual do të binin nga liga dhe s’do të merrnin pjesë në sezonin e ardhshëm.

Kjo do të thotë se klubet e vogla nuk do të kenë mjaftueshëm mundësi për ta siguruar kualifikimin në Ligën e Kampionëve edhe nëse e kanë një sezon shumë të mirë, ndërsa klubet e mëdha nuk rrezikojnë ta humbin vendin në këtë garë edhe nëse e kalojnë një sezon mjaft të dobët.

Shoqata ka bërë të ditur se dëshiron t’i dëgjojë mendimet e të gjithë anëtarëve sa i përket principeve që ata i konsiderojnë fundamentale për të ardhmen e futbollit evropian.

“Këtu përfshihet një sistem piramide të Ligës Pan-Evropiane me vazhdimësi dhe mundësi për t’u rritur nga brenda, si dhe theksimin e dinamikës të këtij sistemi përmes promovimit dhe rënies nga liga”.

Angelli gjithashtu thotë se kjo do të jetë një platformë gjithëpërfshirëse, e bazuar në meritokraci dhe jo privilegj historik. Ai shton se për ta arritur këtë gjë, duhet të ketë bashkëjetesë me ligat vendore.

ECA-ja më herët i kishte mohuar lajmet për planet e krijimit të një lige të mbyllur me vende të garantuara për klubet e madhe, por tani thotë se këto plane janë ende në fazë të hershme.

Ligat angleze, franceze dhe spanjolle e kanë kundërshtuar këtë propozim duke thënë se futbolli vendor është më i pëlqyer nga tifozët.

Drejtori i Juventusit, Agnelli, tha në letrën e tij se anëtarët e ECA-së nuk do ta pranojë ftesën për një takim me Ligat Evropiane muajin e ardhshëm, në Madrid.

Nëse ky propozim tregohet i suksesshëm, ky do të jetë ndryshimi më i madh i Ligës së Kampionëve që nga viti 1992. Ky sistem i ri i rrezikon më shumë klubet e vogla, të cilat do ta kenë më të vështirë të kualifikohen, përves nëse tregohen tejet të suksesshëm për një periudhë më të gjatë kohore.

(Kosova Sot)