Neymar: Dua të jem më i miri në botë, por Messi ma kalon

  • 26 April 2019 - 10:40
Neymar: Dua të jem më i miri në botë, por Messi ma kalon

Ylli brazilian i Paris Saint-Germainit, Neymar, e ka diskutuar ëndrrën e tij për të qenë futbollisti më i mirë në botë, mirëpo e ka pranuar se ish-bashkëlojtari i tij, Lionel Messi, është më i mirë se ai.

Neymari u transferua nga Barcelona në Paris Saint-Germain gjatë afatit kalimtar të verës së vitit 2017, për 222 milionë euro. Ai vendosi ta bëjë këtë kalim pasi që dëshironte të ishte ylli i një skuadre, e të mos mbetej nën hijen e Lionel Messit.

Mirëpo, për shkak të lëndimeve të shumta, që kanë bërë që Neymari t’i humbë 51 nga 105 ndeshjet e Paris Saint-Germainit që nga transferimi i tij, nuk e kanë lejuar brazilianin ta dëshmojë aftësinë e vet.

Për më tepër, edhe pse Messi është duke shkuar drejt fundit të karrierës së tij, 31-vjeçari është duke e kaluar një sezon të jashtëzakonshëm. Argjentinasi i ka shënuar 45 gola dhe i ka asistuar 22 të tjera në 44 ndeshje të zhvilluara dhe ka mundësi ta fitojë tripletën këtë sezon.

“Nuk e kam fiksim të jem më i miri në botë, por natyrisht kjo është një ëndërr e imja. Jo vetëm e mija, por e çdo futbollisti. Mirëpo, nuk e kam fiksim, është vetëm pasojë e punës time të përditshme”, ka thënë Neymari.

“Mendoj se Messi është përpara meje. Mendoj se sot, mënyra se si ai luan është ndryshe. Ai është Messi”.

Sulmuesi brazilian u kthye në fushën e futbollit fundjavën e kaluar për herë të parë pas tre muajsh, për shkak të një lëndimi të këmbës. Tani që sezoni i klubeve është afër fundit, ai e ka kthyer vëmendjen te Kupa e Amerikës, ku do ta përfaqësojë ekipin kombëtar të Brazilit. 

(Kosova Sot)