Suarez e komenton garën mes Man Cityt dhe Liverpoolit në Premierligë

  • 30 April 2019 - 08:34
Suarez e komenton garën mes Man Cityt dhe Liverpoolit në Premierligë

Ylli i Barcelonës, Luis Suarez, beson se gara mes Manchester Cityt dhe Liverpoolit në Premierligë është shumë e ngushtë dhe ai nuk mund ta parashikojë të ardhmen, përkundër që mendon se ish-klubi i tij ka të ardhme të ndritur.

Barcelona dhe finalisti i sezonit të kaluar, Liverpooli, do të përballen kokë më kokë të mërkurën në Camp Nou, në kuadër të gjysmëfinaleve të Ligës së Kampionëve. Këtu, Suarez e ka rastin të takohet me ish-klubin e tij

Suarezi i kaloi tre sezone në Liverpool. Gjatë asaj kohe ai e fitoi vetëm titullin e EFL Cup në Angli dhe në vitin 2014 iu bashkua gjigantit të La Ligës, Barcelonës.

Nën drejtimin e Jurgen Kloppit, Liverpooli është shndërruar në favorit si në Premierligë, ashtu edhe në Ligën e Kampionëve. Ata këtë sezon po garojnë për titullin e kampionit, ndërsa sezonin e kaluar u mposhtën nga Real Madridi në finale të Ligës së Kampionëve.

Liverpooli është vetëm një pikë pas Manchester Cityt dhe janë dy ndeshje deri në fund të sezonit. Suarezi ka thënë për Expressin e Britanisë së Madhe: “Liverpooli tani është në një pozitë ku duket se ka të ardhme shumë të ndritur përsëri”.

“Gara është aq e ngushtë në Angli këtë sezon , është e pamundur të thuash se kush do të bëhet kampion, Liverpooli apo Manchester City”.

“Mirëpo, Liverpooli është në një pozitë ku ata do të jenë sfidues përsëri sezonet e ardhshme. Kur ne ishim afër për ta fituar titullin, ishim të zhgënjyer sepse ndienim që ai kishte qenë momenti ynë dhe nuk do të kishim një tjetër”.

“Por, tani Liverpooli e skuadrën, investimin, organizimin që të lë të kuptosh se kjo nuk do të jetë diçka që po ndodh vetëm këtë sezon”.

Suarez, i cili i ka fituar katër tituj të La ligës dhe një titull të Ligës së Kampionëve me Barcelonën, shtoi: “Liverpooli do të jetë gjithmonë i rëndësishëm për mua, pasi ma kishte dhënë mundësinë, më dha një rol më të madh në zhvillimin tim dhe natyrisht për shkak të tifozëve të mrekullueshëm”.

“Por, kjo është gjysmëfinalja e Ligës së Kampionëve dhe gjithçka që do të ketë rëndësi është që ta ndihmojmë Barcelonën të luftojë për të qenë edhe një hap më afër trofeut”. 

(Kosova Sot)