Fundi i PSG-së? Pronarët përgatiten t’i tërheqin paratë e tyre nga klubi

  • 03 May 2019 - 09:13
Fundi i PSG-së? Pronarët përgatiten t’i tërheqin paratë e tyre nga klubi

Pronarët e Paris Saint-Germainit, Qatar Sports Investments, po përgatiten t’i tërheqin paratë e tyre nga kampioni në fuqi francez, pasi mediat franceze raportojnë se ata nuk janë të kënaqur me mënyrën se si kanë shkuar investimet e tyre.

Le Parisien raporton se Tamim bin Hamad Al Thani, kreu aktual i shtetit në Katar, dhe investitorët e tjerë kanë mbetur të zhgënjyer me progresin e PSG-së që kur ata i investuan paratë e tyre në klub, në vitin 2011

Gazeta franceze shton se investitorët “Qatar Sports Investments” besojnë se paraqitjet e fundit të dobëta të PSG-së ua kanë prishur atyre reputacionin. Në vend të PSG-së ata mund ta marrin në drejtim Romën.

Megjithatë, bashkëpronari dhe presidenti i klubit italian, James Pallota, i ka mohuar këto spekulime.

“Qatar Sports Investments dëshiron ta marrë qeverisjen e Romës? Nuk ka asgjë të vërtetë këtu. Ky është lajm i rremë”, ka thënë Pallotta për RomaPress.

Që kur Nasser Al-Khelaifi e ka marrë drejtimin e PSG-së, ai ka shpenzuar shuma marramendëse parash pasi që ka bërë të ditur se e ëndërron titullin e kampionit të Evropës. Megjithatë, deri më tash kjo gjë s’ka ndodhur.

Pasi u eliminua nga Liga e Kampionëve në fazën e 1/8 të finales edhe këtë sezon, Paris Saint-Germaini e ka kuptuar se duhet të bëhen disa ndryshime domethënëse në skuadrën e klubit. Këto ndryshime mund të mos ketë mundësi t’i bëjë nëse Katari i ndal investimet në klub. 

(Kosova Sot Online)