Son, nga futbollisti në 'rockstar' në Korenë e Jugut!

  • 07 May 2019 - 14:28
Son, nga futbollisti në 'rockstar' në Korenë e Jugut!

Prej 2009, Forbes Korea përpilon listën Power Celebrity Index: personalitet më të famshme dhe të dashura të vendit renditen në bazë të arritjeve, ndikimit, popullaritetit dhe të ardhurave.

Korea e Jugut është një vend ku rinia është e fiksuar me fenomenin K-Pop, muzika e adoleshentëve që po përhapet anembanë botës: në 5 vendet e para të listës së Forbes janë grupe muzikore që kanë arritur statusin e Backstreet Boys në Azi.

Vetëm një yll i sportit ka arritur të depërtojë në këtë renditje dhe të ndryshojë paksa panoramën: ai është Son Heung-min.

"Son është shumë i njohur dhe i dashur, për të gjitha brezat në Korenë e Jugut," thotë Sungmo Lee, gazetar i Goal në Kore. "Duke nisur nga adoleshentët - edhe më të rinj se aq - deri tek të moshuarit, 70-80 vjeç".

Image

Këtu fiton dukshëm Son, sepse ndryshe nga yjet e muzikës pop, ai nuk ndalet te adoleshentët, por është i adhuruar nga të gjithë. Popullariteti i Son është i tillë saqë në çdo ndeshje të Tottenhamit një grup i madh gazetarësh koreano-jugorë monitorojnë gjithçka bën sulmuesi i Gjelave. Ndërkaq, qindra tifozë koreano-jugorë në Britaninë e Madhe shkojnë në ndeshjet e Spurs, nëpër gjithë Anglinë, duke valëvitur flamujt e vendit të vet, aty ku ndeshjet e Tottenhamit ndiqen më shumë se çdo ekip tjetër në planet.

Portali Naver, në Korenë e Jugut, transmeton live në internet ndeshjet e Son dhe për çdo ndeshje ka 200.000-300.000 përdorues që janë online duke parë ndeshjen. Duke shtuar edhe teleshikuesit, në Korenë e Jugut ndeshjet e Son ndiqen nga rreth 1 milionë persona, ndërkohë që media flet përditë për yllin e vet, pak rëndësi ka nëse bëhet fjalë për futboll apo për një shëtitje për qejf të vet nëpër Londër.

Image

Nëse do dilte nëpër Seul, Son nuk do merrte dot frymë nga turmat e njerëzve që do e rrethonin, por në Angli është më i qetë, edhe pse grupe tifozësh nga Korea e Jugut e presin thuajse përditë jashtë kompleksit stërvitor të Tottenhamit në Enfield. "Shpesh tifozët dhe turistët e ndalin, duke i kërkuar foto, por ai zakonisht pranon duke buzëqeshur, është person mjaft i këndshëm dhe ia kalon mirë me të gjithë", shpjegon Sungmo.

Son është një tip i qetë, jep autografe e bën foto, por pastaj shkon të jetojë në apartamentin e tij modest në Barnet, ku ka marrë edhe prindërit. Një jetë ndryshe nga ajo e shumicës së yjeve të futbollit, sepse Son nuk del shpesh mbrëmjeve, pëlqen të qëndrojë në shtëpi dhe është një familjar i devotshëm.

Në Korenë e Jugut Son shkon kryesisht për ndeshjet e kombëtares, por realisht është i pranishëm çdo moment, pasi fytyra e tij është në televizion, në reklama, në tabelat gjigante si imazh i markave të njohura, nga Gillette te TS Shampoos, apo akulloret Binggrae Super Cone.

Vetëm në Instagram Son ka 2.3 milionë ndjekës, aty ku bën miliona me reklama, si me këpucët Adidas.

Në Korenë e Jugut ekziston një futbollist që ka arritur më lart se Son: Park Ji-sung ishte pjesë e Koresë së Jugut në Botërorin 2002 dhe u shpall kampion Europe me Manchester United. Megjithatë, nuk ka dyshime që Son është lojtar më i mirë, një yll te Tottenham, ku me golat e tij është vendimtar edhe në Champions League, edhe pse mungesa e trofeve te Spurs e ka kufizuar edhe famën e Son. Gjithsesi, ka kohë, ndoshta që këtë javë Son mund të bëjë diçka historike në Amsterdam, pasi mungoi në ndeshjen e vajtjes për pezullim.

Image

(Kosova Sot Online)