Kujtim Shala s’i harron Dinamon e Kroacinë, flet edhe për Kosovën

  • 08 May 2019 - 11:28
Kujtim Shala s’i harron Dinamon e Kroacinë, flet edhe për Kosovën

Kujtim Shala ka folur gjerë e gjatë për karrierën e tij dhe për eksperiencën e paharrueshme në Dinamo Zagreb. Gjithashtu, flet edhe për Kosovën

Është ende i dashur nga tifozët e Dinamos dhe Kujtim Shala ka qenë gjithmonë idhull në Zagreb, njëjtë siç është edhe sot.

Ish-futbollisti i njohur kosovar ka folur për eksperiencën e tij në futbollin kroat, por edhe për djalin e tij, Ramon, për të cilin dëshironte të luajë në Dinamo.

Ai po qëndron në Zagreb për një ndeshje humanitare

“Mbi të gjitha, gjëja më e rëndësishme është të ndihmosh, prandaj nuk kam menduar dy herë të vija këtu. Dhe po ashtu nuk më pritet t’i takoj ish-bashkëlojtarët nga gjenerata e Dinamos, me të cilët nuk kisha kontakt qe një kohë të gjatë. Kam pasur kontakte më të shpeshta me Skrinar, ndërsa kam folur një herë edhe me Boban e Suker. Ndihem mirë që më kanë ftuar që të ndihmojmë së bashku. Jam i lumtur që jam përsëri në Zagreb, njëjtë siç isha kur më ftonte Suker për ndeshjen ndërmjet Kroacisë dhe Kosovës”, u shpreh Shala për mediumin kroat “Vecernji”.

Shala momentalisht jeton në Gjermani, ndërsa ai kishte luajtur për Dinamon në periudhën 1989 – 1991, ku i kishte zhvilluar 45 ndeshje dhe kishte shënuar 16 gola.

Më pas kishte shkuar në Francë, kurse nga viti 1992 deri në fund të karrierës kishte luajtur në Gjermani.

“Koha kalon dhe tash jam 55 vjeç. Futbolli? Nuk ka futboll më për mua. Është e vërtetë, jam menaxher, e kam licencën e trajnerit, por jam i brengosur për karrierën e djalit tim, Andis, i cili po luan në Erfurt. Ai ka mundësi të shkojë diku në lindje, në Emirate për shembull, por ai dëshiron të qëndrojë në Gjermani, ku është rritur dhe shkolluar. Atij nuk i bëjnë shumë përshtypje paratë. Unë mundohem të ndihmoj kur të më ftojë ndokush, por e tëra është në ligat rajonale”, ka shtuar Kujtim Shala.

Ai tregon se e shikon gjithmonë Dinamon, për të cilën bën tifo gjithnjë, ndërsa nuk e përjashton mundësinë që djalin e tij, Ramon ta dërgojë në shkollën e futbollit të Dinamos për t’u zhvilluar sa më shumë.

Po ashtu, e gëzon fakti se Kroacia e bëri mrekullinë në Kampionatin Botëror “Rusia 2018” duke u shpallur nënkampione e botës.

Shala ka folur edhe për Amir Rrahmanin, i cili po e luan një rol të rëndësishëm në sezonin historik të Dinamos me suksesin në Evropë.

Ish-futbollisti i gjeneratës së artë të Prishtinës, i cili një kohë të shkurtër ka luajtur për Kroacinë, e ka lavdëruar qendërmbrojtësin kosovar, për të cilin thotë se duhet të vazhdojë në këtë mënyrë, ndërsa është kureshtar edhe se si do të përballet Kosova me ekipet më të forta sesa në Ligën e Kombeve.

(Kosova Sot Online)